Lidhje

Rice pritet të konfirmohet me lehtësi nga senati si sekretare e shtetit - 2004-11-17


Anëtarë kryesorë të senatit amerikan thanë se presin që zonja Condoleezza Rice, e emëruar nga Presidenti Bush në postin e Sekretares së Shtetit të konfirmohet me lehtësi nga senati.

Numri i dy i republikanëve të senatit, Mitch McConnell, tha se sipas tij, zonja Rice, e cila po largohet nga posti i Këshilltares së Sigurimit Kombëtar, mund të përballet me pyetje të vështira gjatë seancave për konfirmimin e saj.

Megjithatë, si ai ashtu edhe udhëheqësi i sapozgjedhur i pakicës demokrate të Senatit Harry Reid, parashikojnë se emërimi i saj do të miratohet.

Dje presidenti Bush e emëroi 50-vjeçaren Rice në vend të zotit Colin Powell, dorëheqja e të cilit u njoftua një ditë më parë. Në deklaratën që bëri në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se zonja Rice është personi i duhur për të përballuar sfidat e politikës së jashtëme që përfshijnë luftën kundër terrorizmit dhe konfliktin izraelito-palestinez. Zonja Rice tha nga ana e saj se mezi pret të fillojë punën për zbatimin e programit të tij shpresëdhënës dhe ambicioz. Zoti Bush njoftoi po dje se ka emëruar zëvendësin e zonjës Rice, Stephen Hadley në postin e Këshilltarit të Sigurimit Kombëtar.

Reagimet nga bota

Reagimet ndërkombëtare kanë qenë përgjithësisht pozitive ndaj emërimit të zonjës Rice në postin e sekretares së shtetit.

Ministri i jashtëm francez, Michel Barnier e quajti zonjën Rice një grua me karakter. Ai tha dje në një intervistë se Franca shpreson të rindërtojë dhe të përtërijë marrëdhëniet transatlantike me Shtetet e Bashkuara.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se zonja Rice është politikane me përvojë, që i njeh mirë të gjitha çështjet e politikës së jashtëme amerikane. Ai tha se mezi pret të fillojë bashkëpunimin me të.

Ministri i jashtëm izraelit, Silvan Shalom i tha Radios së Ushtrisë se zonja Rice ushqen një miqësi të thellë me vendin e tij.

Ministri i kabinetitg palestinez Saeb Erakat tha se beson se Condoleezza Rice është e përkushtuar ndaj krijimit të një shteti palestinez që të jetojë në paqe përkrah Izraelit.

XS
SM
MD
LG