Lidhje

SHBA nuk shpreh shqetësim rreth ndërtimit të një raketë të re bërthamore ruse - 2004-11-18


Administrata e Presidentit Bush thotë se nuk është alarmuar nga njoftimi i Rusisë se po ndërton një raketë të re bërthamore. Presidenti rus, Vladimir Putin, thotë se programi është pjesë e përpjekjeve për të pëmirësuar forcat e armatosura të Rusisë.

Zyrtarët amerikanë nuk shprehën ndonjë habi apo shqetësim rreth vendimit të Presidentit Putin për të ndërtuar një raketë të re bërthamore. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Adam Ereli, tha se planet ruse nuk dalin jashtë kornizës së traktatit të Moskës, i cili kërkon shkurtimin e armëve strategjike nga të dyja palët. “Kështu që ne, tha zoti Ereli, nuk i shikojmë si kërcënim planet e Rusisë për të ruajtur dhe modernizuar aftësitë e saj bërthamore. Dhe ato që po bëjnë rusët janë në përputhje të plotë me detyrimet tona të ndërsjella në bazë të traktatit të Moskës.” Edhe zyrtarë të Pentagonit thonë se as ata nuk janë të alarmuar dhe se do të presin për të parë se çfarë arme po ndërtohet.

Presidenti Putin tha në një takim të udhëheqësve të lartë ushtarakë se Rusia nuk mund të shpërfillë kërcënimet terroriste ndërkombëtare dhe as nevojën për zhvillimin e sistemeve të reja mbrojtëse. “Ne, tha udhëheqësi rus, do të vazhdojmë të ndërtojmë forcat tona të armatosura dhe komponentet e tyre bërthamore dhe se ato duhet të jenë gati për përdorim brenda pak vitesh. Raketat e reja, shtoi Presidenti Putin, nuk do të jenë fare të ngjashme me ato që janë përdorur deri tani nga fuqi të tjera bërthamore.” Zoti Putin e mbajti fjalimin pak ditë para takimit të tij me Presidentin Bush në Kili, gjatë konferencës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqesor.

Nëndrejtori i Institutit të Moskës për studime amerikane dhe kanadeze, Viktor Kremenjuk, thotë se raketat e reja nuk paraqesin ndonjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara: “Mbi të gjitha, theksoi zoti Kremenjuk, unë mendoj se ky është një zhvillim i cili nuk duhet të ngjallë dyshime për shkak se rusët kanë aftësitë për zhvillimin e armëve të reja në fushën strategjike.”

Planet e Presidentit Putin shikohen si pjesë e përpjekjeve të tij për të rindërtuar fuqinë ushtarake të Rusisë, e cila u dobësua ndjeshëm pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. //bsa//

XS
SM
MD
LG