Lidhje

CIA në valën e ndryshimeve - 2004-11-18


CIA, duke qenë agjenci shërbimesh sekrete të zbulimit, preferon të mos jetë në qendër të vëmendjes publike. Por zhvillimet në këtë agjenci po kryesojnë titujt e lajmeve përsëri me ardhjen në postin e drejtorit të zotit Porter Goss.

Zyrtari më i lartë i kësaj agjencie për shërbimet sekrete, Stephen Kappes dhe zëvendësi i tij Michael Sulick paraqitën të hënën dorëheqjet. Zëvendës-drejtori i agjencisë John McLaughlin dha dorëheqjen javën e kaluar për arsye personale.

Michael Scheuer, i cili kryesonte njësinë e vëzhgimit të Osama bin Ladenit, dhe autor anonim i dy librave, u largua javën e kaluar në mënyrë që të kishte mundësi të fliste hapur. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Scheuer tha se dorëheqjet e reja u përhapën shpejt në korridoret e selisë së CIA-s në Langley pranë Washingtonit:

"Në agjenci qarkullonin thashetheme. Mos ishin bërë shkak mospajtimet personale? Mos ishte ndonjë përpjekje për spastrim në agjenci, pasi ekzistonte opinioni se CIA mbante anën e Partisë Demokrate? Shpresoj që të mos jetë kjo e fundit pasi nuk ka baza për një shqetësim të tillë."

Një komision i Kongresit, i kryesuar nga ish-ligjvënësi Gos, dhe komisioni që hetoi sulmet e 11 shtatorit 2001, shprehën kritika të ashpra lidhur me punen e CIA-s dhe të agjencive të tjera para sulmeve:

Siç flitet, stili i ashpër drejtues i zotit Goss dhe i disa ndihmësve të tij ndaj shërbimeve sekrete u bë shkak për dorëheqjet. Ka zëra të tjerë se zoti Goss ndërmori një fushatë spastrimi mbi baza politike, si rrjedhojë e perceptimit se agjencia i është kundërvënë presidentit Bush dhe politikave të tij.

Senatori republikan John McCain thotë se zoti Goss ka të drejtën të zbatojë vizionin e tij në këtë agjenci dhe se politikat e tij po kritikohen pa të drejtë nga punonjës që kanë pasur një karrierë të gjatë në këtë agjenci.

"Ai po sulmohet nga personat që duan të ruhet statu-kuoja. Por gjendja në agjenci aktualisht nuk është e kënaqshme. Kjo agjenci aktualisht nuk funksionon si duhet dhe është deri diku e papërgjegjshme."

Ligjvënësja Jane Harman, anëtare demokrate e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Zbulimit, thotë se në CIA nevojiten ndryshime, por shton se drejtori Goss po i zbaton këto ndryshime në mënyrë agresive:

"Ai duhet t’i zbatojë politikat në një mënyrë që përcjell mesazhe pozitive në radhët e punonjësve dhe nuk bëhet shkak që të ketë dorëheqje masive dhe të shkruajnë gazetat."

Megjithatë, ish-zyrtari i CIA-s Michael Scheuer thotë se agjentët e shërbimeve sekrete janë përdorur si kokë turku për gabimet e kryera në Irak dhe para sulmeve të 11 shtatorit:

"Mendoj se kryesorja është shtimi i nervozizmit në radhët e shërbimeve sekrete pasi u kritikua nga Komisioni në Kongres dhe më pas nga Komisionit i 11 shtatorit."

Dy librat e zotit Scheuer, të botuar nën autorësi anonime, shprehnin kritika të ashpra ndaj përpjekjeve amerikane anti-terroriste dhe në disa qarqe shiheshin si kritika të mbështetura nga CIA ndaj presidentit Bush. Këto libra u miratuan për botim nga autoritetet e agjencisë dhe zoti Scheuer gëzon hapësirë të jashtëzakonshme për të dhënë intervista për median pa miratim paraprak.

Por zoti Scheuer thotë se pak kohë para se të jepte dorëheqjen, atij filloi t’i pengohej rruga për kontakte me median, pasi i ishte kundërvënë opinionit se librat e tij kishin tendenca kundër presidentit Bush.

"Për sa kohë që libri po keqinterpretohej si një subjekt që sulmonte presidentin, m’u dha mundësi të kontaktoja lirisht median. Por gjatë intervistave u përpoqa që ta ndryshoj opinionin për librin dhe të shpjegoja se çfarë përfaqësonte libri. Arrita sukses në këto përpjekje dhe libri po interpretohej drejtësisht. Por më pas filluan të më sabotojnë."

Në një mesazh drejtuar punonjësve të CIA-s botuar në gazetën Washington Post, drejtori Gos tha se agjencia duhet të përgatitet për ndryshime të tjera në të ardhmen.// lk //

XS
SM
MD
LG