Lidhje

Si po ecën ekonomia e vendeve të Evropës Juglindore? - 2004-11-19


Institucioni financiar me bazë në Londër, misioni i të cilit është nxitja e zhvillimit të ekonomisë së tregut në Evropën Lindore, njofton se ekonomitë e këtij rajoni vazhdojnë të rriten, veçanërisht në pjesën juglindore.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë në raportin e saj se ritmi i rritjes ekonomike në shtatë vende të Evropës Juglindore arriti këtë vit në pesë për qind. Ekonomia e Shqipërisë pati ritmin më të lartë të rritjes prej 6 presje 2 për qind, e pasuar nga Rumania me 5 presje 8 dhe Bullgaria me 5 presje 5 për qind.

Kryeekonomisti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhbillim, Willem Buiter, i tha dje një forumi në Universitetin Xhons Hopkins se më në fund vendet ballkanike kanë filluar të shijojnë frytet e paqes në ish Jugosllavi. Ai thotë se Bullgaria dhe Rumania po zbatojnë reforma të rrepta, kryesisht për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2007.

Zoti Buiter thonë se Serbia ka ngecur prapa: “Serbia ka hyrë në vitin e katërt të tranzicionit dhe përparimi i saj ka ngecur thuajse plotësisht në këto dy vitet e fundit. Arsyet për këtë ngadalësim, tha zoti Buiter, janë të qarta. Vëmendja e publikut është zhvendosur nga çështjet kushtetuese me Malin e Zi, Kosova dhe mosmarrëveshjet midis vetë reformatorëve.”

Zoti Buiter tha se reformat janë ngadalësuar edhe në tetë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që vitin e kaluar hynë në radhët e Bashkimit Evropian: “Në të gjitha këto vende shihen dy prirje, zbatimi i reformave ose ngadalësimi dhe rënia ekonomike. Dhe mendoj se një ditë atje do të bëhet i qartë realiteti politik dhe këto intervale ngadalësimi do të kalojnë. Por, kjo mund të marrë disa vite.”

Zoti Buiter përmendi Poloninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë ku procesi i reformave ka mbetur prapa.

Në ish Bashkimin Sovjetik, prodhimi i lartë i naftës në Rusi ka nxitur rritjen ekonomike. Por, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shpreh shqetësim rreth klimës së investimit të Rusi. Zoti Buiter thotë se ndërsa të huajt investojnë në Rusi, veçanërisht në industrinë e naftës, investitorët e brendshëm po i nxjerrin paratë e tyre jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG