Lidhje

Presidenti amerikan dhe ai meksikan diskutojnë për reformën në imigracion - 2004-11-21


Presidenti Bush dhe Presidenti meksikan Vincente Fox thonë se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për reformimin e politikës amerikane të imigracionit. Korrespondenti i Shtëpisë së Bardhë, Scott Stearns njofton nga Santiagoja e Kilit, ku u takuan dy udhëheqësit që po marrin pjesë në forumin për Bashkëpunimin Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit.

Presidenti Bush thotë se ai dhe Presidenti Fox ndajnë të njëjtin shqetësim për sigurinë e kufirit të tyre të përbashkët. Një nga mënyrat për ta realizuar një gjë të tillë janë ato që zoti Bush i quan politika të arsyeshme të imigracionit.

“I thashë Presidentit Fox se këto çështje ishin pjesë e fushatës sime. Unë e shfaqa shumë qartë qëndrimin tim, se ne duhet të garantojmë që kur ka një punëtor që do punë dhe një punëdhënës që do të punësojë njerëz për atë punë, kjo gjë duhet bërë ligjërisht, në rastet kur amerikanët nuk duan ta bëjnë atë punë”.

Pas takimit në Santiago, Presidenti Bush u deklaroi gazetarëve se i kishte thënë Presidentit Fox se Washingtoni synon të garantojë trajtimin me respekt dhe dinjitet të meksikanëve në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Bush ka paraqitur një plan për të lejuar punëtorët pa dokumente që të punojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, por Kongresi nuk është marrë shumë me këtë propozim që kur ai u paraqit në janar, pjesërisht sepse ka hasur në kundërshtimin e disa anëtarëve të vetë Partisë Republikane të Presidentit.

Sipas planit të Presidentit Bush, punëtorët pa dokumenta do të merrnin viza të përkohëshme për të punuar ligjërisht për një kohë të caktuar në Shtetet e Bashkuara, por këto dokumenta nuk do të siguronin shtetësinë. Disa republikanë në Kongres janë kundër këtij plani, sepse sipas tyre, ai shpërblen njerëzit që kanë hyrë ilegalisht në vend dhe dekurajon ata që kanë kërkuar ligjërisht vizat në ambasadat amerikane të vendeve të tyre.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan thotë se reforma e imigracionit mbetet një nga përparësitë kryesore në mandatin e dytë të Presidentit dhe zuri një vend të konsiderueshëm në bisedimet e sotme mes dy udhëheqësve.

Presidenti Fox tha se shpreson që bisedimet e mëtejshme në Washington do të sjellin si rezultat një lloj marrëveshjeje mes dy vendeve mbi këtë çështje. Ai tha se është e rëndësishme që të krijohen më shumë vende pune brenda Meksikës.

“Meksika synon të plotësojë përgjegjësitë e veta për të rritur ekonominë, për ta forcuar atë, në mënyrë që të ketë më shumë vende pune në Meksikë. Kjo është përparësia jonë kryesore”.

Presidenti Fox dhe Presidenti Bush morën pjesë sot në seancën e fundit të takimit të nivelit të lartë mes vendeve të Azi-Paqësorit. Nesër Presidenti Bush shkon në Kolumbi.

XS
SM
MD
LG