Lidhje

Pedagogët grevistë paralajmërojnë se universitetet po shkojnë drejt shkatërrimit - 2004-11-21


Në Shqipëri, pedagogët e universiteteve fillojnë nesër një grevë pa afat, në protestë ndaj mosplotësimit të kërkesave të tyre nga qeveria. Profesorët kërkojnë një rritje 100 për qind të rrogave, kompensimin e duhur për orët shtesë të mësimeve, përcaktimin e statusit të tyre dhe shtimin e investimeve në universitete. Pedagogët shpresonin që buxheti për këtë vit të parashikonte rritjen e pagave për ta. Pas një greve treditore të Universitetit Politeknik javën e kaluar, profesorët vendosën të shpallin një grevë pa afat, të pakënaqur nga përgjigja e qeverisë ndaj kërkesave të tyre. Një nga anëtarët e komisionit të grevës, pedagogu Aleksandër Kovaçi i Universitetit Politeknik të Tiranës, i dha një intervistë Zërit të Amerikës, lidhur me këtë problem.

Zëri i Amerikës: Zoti Kovaçi, pedagogët dhe mësuesit prej kohësh kanë kërkuar ngritje rrogash dhe përmirësim të kushteve të punës. Çfarë iu detyroi këtë radhë që të arrini deri tek një grevë pa afat?

Aleksandër Kovaçi: Së pari dua të theksoj që në fillim, që këto kërkesa të njohura tashmë kanë të bëjnë me përgjigjen ndaj pyetjes: a do të ketë arsim universitar publik, apo ai do të kthehet në një klasë të trembëdhjetë. Trajtimi i deritashëm dhe aktual i qeverisë ndaj universiteteve, ka thelluar më tej krizën e tyre duke i çuar ata drejt shkatërrimit. Përballë kësaj situate, stafi akademik dhe administrativ me një ndërgjegje të lartë kombëtare është ngritur për të arritur një kthesë historike në arsimin e lartë.

Zëri i Amerikës: Cilat janë kërkesat që qeveria duhet të plotësojë, që ju të hiqni dorë nga greva pa afat dhe a keni patur ndonjë reagim nga strukturat qeveritare?

Aleksandër Kovaçi: Kërkesa për dyfishimin e rrogës së stafit të universiteteve, apo dhënie e autonomisë universitare, në kuptimin akademik dhe finanaciar; së treti kërkesa për shtimin e investimeve në universitete, laboratorët dhe mjediset e të cilëve, kanë mbetur në nivelin e viteve 1960, mund të themi, apo parashikimi i kostos financiare të zbatimit të reformës së Kartës së Bolonjës, si edhe dhënia e statusit të pedagogut, janë vetëm thelbi mund të themi i problemeve të panumërta që kanë universitetet shqiptare sot. Ajo çfarë mund të them dhe mund të vë në dukje është fakti se kjo lëvizje nuk ka thjesht të bëjë me disa probleme ekonomike, ajo ka ta bëjë me mbrojtjen dhe konsolidimin e një pasurie kombëtare të nëpërkëmbur tashmë. Synimi është që ata të cilët janë vendimmarrës në politikat arsimore, të mendohen mirë kur të flasin për universitetin dhe reformën në të.

Zëri i Amerikës: Pikërisht këtu desha të ndalesha, në një pamje të parë disa herë mund të duket sikur bëhet fjalë vetëm për anën ekonomike të këtij problemi, pra të pedagogëve. Por sipas jush, cilat janë pasojat afatgjata? Vërtet mendoni që arsimi i lartë ka hyrë në një udhë pa krye, nëse nuk plotësohen kërkesat e atyre që japin mësim në universitetet e Shqipërisë?

Aleksandër Kovaçi: Ashtu siç e theksova edhe në fillim këto kërkesa nuk kanë të bëjnë thjesht me një anë ekonomike, por kanë të bëjnë me faktin që ne a do të kemi universitet të vërtetë, apo thjesht një klasë shtesë të trembëdhjetë, pas shkollës së mesme. Dhe pasojat e kësaj situate aktuale, do të ndihen pas disa vitesh, le të themi 10 vjetësh, kur në Shqipëri do të kemi njerëz të pashkolluar në kuptimin real dhe njerëz me diploma që nuk kanë vlerë reale në tregun e diplomave. Kështu që çdo lloj përpjekjeje, le të themi për t’i bërë të barazvlefshme diplomat shqiptare me diplomat perëndimore, do të ishin deri diku fallco përballë realitetit të këtyre diplomave, nëqoftëse nuk ndërhyhet menjëherë nga ana e qeverisë dhe politikëbërësve për këtë problem.

Zëri i Amerikës: Sa do të prisni juve për plotësimin e kërkesave tuaja? E prisni këtë nga Ministria e Arsimit, qeveria, Parlamenti?

Aleksandër Kovaçi: Kontakti i vetëm me qeverinë deri tani, ka qenë ai me Drejtorin e Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencave. Dhe ai premtoi vetëm ngrirjen e udhëzimit famëkeq të kësaj ministrie, që kishte të bënte vetëm me normat e reja të ngarkesës mësimore, por ngarkesat e të cilave, ishin jo vetëm një goditje për stafin akademik, por dëmtonin në thelb procesin e mësimdhënies. Në kushtet kur ne i kemi realizuar hapat paraprakë, së pari të paralajmërimit me anë të peticioneve nga ana e stafit akademikm, së pari të promemorjes së stafit akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës, drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, së treti të një greve njëorëshe, pastaj një ditore dhe më tej treditore, duke parë indiferencën e qeverisë, si edhe mungesën e predispozicionit konkret të saj në zgjidhjen e problemit të universitetit, Komisioni Ndëruniversitar tashmë i grevës ka vendosur tashmë përshkallëzimi në një grevë pa afat, duke filluar nga dita e hënë, më 22 nëntor.

Zëri i Amerikës: Një nga pasojat e pagave të ulëta në arsim, është largimi i pedagogëve të kualifikuar nga Shqipëria, një dukuri jo vetëm mes pedagogëve, por gjithashtu edhe për specialistët e tjerë të kualifikuar në Shqipëri. Sa e ka dëmtuar një gjë e tillë cilësinë e mësimdhënies dhe sa e përhapur është kjo dukuri?

Aleksandër Kovaçi: Unë do të jap vetëm një shifër aktuale: nga 40 pedagogë me tituj nga Universiteti Politeknik, përkatësisht vetëm nga Fakulteti i Inxhinierisë, 32 janë larguar nga Universiteti. Ky ka qenë një kontigjent, ku është investuar për vite me radhë, për specializimin, për edukimin dhe për ngritjen profesionale të tyre dhe i kanë marrë gradat në këto universitete dhe ka shpenzuar kjo shoqëri për ta. Gjendja aktuale e universiteteve tona, e pagesës (së stafit) por edhe trajtimit të tyre, ka sjellë largimin e këtij kontigjenti dhe kjo do të jetë me pasoja shkatërruese, jo vetëm për universitetin sot, por sidomos për të ardhmen e vendit.

XS
SM
MD
LG