Lidhje

NBA mer disa prej masave më të ashpra kundër lojtarëve që u përfshinë në një përleshje me tifozët në Detroit - 2004-11-22


Komisionieri i NBA-it, David Stern njoftoi dje se lojtari Ron Artest i Indianës është pezulluar nga të gjitha ndeshjet e këtij kampionati. Kjo do të thotë se ai nuk do të lejohet të luajë në 72 takimet e ardhshme. Ky është ndëshkimi më i gjatë në historinë e basketbollit amerikan për një lojtar që zihet me tifozët. Komisioneri Stern tha se pezullimi është më se i përshtatshëm për sjelljen e tij.

“Në ndeshjet tona ka rregulla. Dhe një prej këtyre rreguillave, është ndarja e tifozëve me lojtarët. Lojtarët nuk duhet të humbasin kontrollin dhe të zihen me spektatorët. Sjellja e këtyre lojtarëve i kapërceu tej mase kufijtë e profesionalizmit që pritet prej tyre. Ne duhet të marrim masa që basketbolli të përfaqësojë vetitë më të mira të sporteve profesioniste."

Nga Ekipi Pacers i Indianës u pezulluan edhe Stephen Jackson për 30 takime, Jermaine O’Neal për 25 takime dhe Anthony Johnson për 5 ndeshje. Nga ekipi Pistons i Detroitit u pezullua Ben Wallace për 6 takime.

Sheri ndodhi ndërsa nga takimi kishin mbetur vetëm 45 sekonda dhe Pacers kryesonin 97 me 82. Gjithshka filloi kur Ben Wallace hyri në kërcim dhe Ron Artest i bëri një faul të rëndë. Wallece e shtyu Artest duke e goditur në fytyrë dhe lojtarët e tjerë u çuan nga bankinat dhe shkëmbyen grushta me njeri tjetrin.

Ndërsa lojtarët po ziheshin Artest qëndronte i shtrirë në tavolinën e gjykatësve. Në këtë moment kur dukej se gjerat po qetësoheshin, Artest qëllohet me një gotë plastike nga tifozët. Ai çohet dhe shkon drejt tifozëve duke i qëlluar me grushte.

Pas masave ndëshkimore 9 lojtarë nga të dy ekipet janë pezulluar për 143 takime. Të gjitha pezullimet janë pa pagesë. Për Ron Artest kjo do të thotë një humbje page prej rreth 5 milionë dollarësh.

Komisioneri Stern tha se këto masa duhet të shërbejnë si paralajmërim për gjithë ligën, për gjithë lojtarët e tjerë dhe incidenti do të kërkojë rishqyrtimin e masave të sigurimit që ndajnë lojtarët nga tifozët.

“Gjithë liga po paralajmërohet me këtë rast për këtë incident të pazakontë. Ne drejtuesit e Ligës kemi përgjegjësinë për të marrë masat përkatëse."

//ze//

XS
SM
MD
LG