Lidhje

Parlamenti i ri i Kosovës mund të mblidhet ditët e para të dhjetorit - 2004-11-22


Koalicioni i ri qeveritar në Kosovë i cili përbëhet nga Lidhja Demokratike e presidentit Ibrahim Rugova, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kryesuar nga Ramush Haradinaj, Partia shqiptare Demokristiane dhe disa parti të pakicave jo-serbe, po finalizon bisedimet për emrat e ministrave të rinj të këtij kabineti. Burime nga ky koalicion thonë se qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj do të kalojë në votim në parlament së bashku me presidentin dhe kryetarin e parlamentit në ditët e para të dhjetorit.

Parlamenti i ri 120 vendësh i Kosovës do të mund të mblidhet ditët e para të dhjetorit më 2 ose 3 dhjetor për të votuar për drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme të vendit, Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Parlamentit, bënë të ditur sot për Zërin e Amerikës, burime brenda koalicionit të ri qeveritar. Presidenti i deritashëm Ibrahim Rugova mbetet i pakontestueshëm në kandidaturën e tij, ndërkohë që sipas këtyre burimeve, edhe këtë herë, kryetar i parlamentit do të jetë Nexhat Daci, i cili drejtoi parlamentin në legjislaturën e mëparshme. Naim Maloku, nga AAK është kandidati për nënkryetar i parlamentit.

Kryeministër i kësaj qeverie pritet të jetë Ramush Haradinaj, sipas marrëveshjes së arritur midis LDK-së dhe AAK-së, ndërkohë që kandidatë për postin e zëvëndëskryeministrit janë Fatmir Sejdiu, Melihate Trmkolli dhe Lutfi Haziri. Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë 5 ministri, ndërkohë që emrat e ministrave nuk dihen ende; AAK do të ketë 4 ministri, për të cilat kandidatë për ministra janë Bajram Kosumi për Mjedisin dhe Planifikimin Hapësinor, Ethem Ceku për Energjitikën, Ahmet Isufi për Punën dhe Mirëqënien sociale dhe Bujar Dugolli për Tregtinë dhe Industrinë.

Qeveria e re e Kosovës do të ketë 13 ministri, nga të cilat partia shqiptare demokristiane dhe pakicat joserbe nga 1 ministri, ndërsa dy ministri pakica serbe. Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Sorren-Jessen Petersen, pritet ndërkohë të udhëtojë për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën që pritet të mbahet më 25 nëntor. Zoti Petersen pritet të kthehet në Kosovë më 1 dhjetor dhe pritet të marrë pjesë në mbledhjen e parë të parlamentit të ri.// lk //

XS
SM
MD
LG