Lidhje

Gazetari i njohur Dan Rather largohet nga rrjeti televiziv CBS  - 2004-11-23


Departamenti i lajmeve i rrjetit televiziv CBS njoftoi se gazetari i saj kryesor dhe redaktori përgjegjës Dan Rather do të largohet nga kjo detyrë në muajin mars, pikërisht ditën kur ai mbush 24 vjet si gazetari i lajmeve kryesore televizive të këtij stacioni.

Rrjeti CBS njoftoi se zoti Rather do të vazhdojë të punojë si korrespondent për emisionin “60 Minuta” të CBS-it, një program një orësh që trajton tema ditore. Rrjeti CBS ende nuk ka bërë njoftim se kush do ta zëvendësojë gazetarin Rather si drejtues i lajmeve kryesore.

Puna e zotit Rather për programin “60 Minuta”, e vuri atë në qendër të kritikave të administratës së Presidentit Bush dhe republikanëve në muajin tetor. Ai transmetoi dhe më pas mbrojti publikisht, një njoftim mbi shërbimin ushtarak të presidentit Bush të bazuar në dokumente që më pas doli se ishin të fabrikuara. Rrjeti CBS ka caktuar një ekip me dy hetues të pavarur për të rishikuar incidentin.

Zoti Rather, dhe rivalët e tij nga dy rrjetet e tjera të mëdha, Tom Brokaw i NBC-së dhe Peter Jennings i ABC-së, kanë dominuar televizionin amerikan për më se dy dekada. Zoti Brokaw ka njoftuar që më parë se në fund të nëntorit do të dalë në pension.// lk //

XS
SM
MD
LG