Lidhje

SHBA hedhin poshtë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë  - 2004-11-25


Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të Ukrainës dhe paralajmëruan për pasoja të mundshme për republikën ish sovjetike. Sekretari i Shtetit, Kolin Pauëll, tha se në qoftë se qeveria ukrainase nuk vepron menjëherë për të zgjidhur krizën, ajo mund të dëmtojë shpresat e Ukrainës për integrimin euro-atlantik. Ai tha se mund të ketë pasoja për personat përgjegjës për mashtrim në votim. Kryeministri Janukoviç është shpallur fitimtar, por Sekretari Pauëll tha se rezultatet nuk mund të pranohen si të ligjshme për shkak të akuzave për mashtrime.

Zoti Pauëll përsëriti paralajmërimet e administratës së Presidentit Bush se do të ketë pasoja për marrëdhëniet amerikano-ukrainase nëse autoritetet në Kiev nuk veprojnë menjëherë dhe në mënyrë të përgjegjshme për t’u gjetur zgjidhje ankesave rreth votimit.

Por, Sekretari Pauëll theksoi se ende ka kohë për të shuar krizën. Ai tha se përqendrimi i menjëhershëm i Shteteve të Bashkuara është të ndihmojnë në gjetjen e një rruge paqesore për të zgjidhur krizën politike dhe jo të ndërmarrin veprime ndëshkimore. “Aktualisht,tha zoti Pauëll, ne po kërkojmë rrugën për të ecur përpara, jo mënyrën për ndëshkim apo për të bërë diçka tjetër, por të ecim përpara në mënyrë paqesore për të arritur në rezultatin që pasqyron vullnetin e popullit ukrainas në mënyrë të lirë dhe të drejtë, pra një rezultat që mund të pranohet nga populli ukrainas si edhe nga komuniteti ndërkombëtar.”

Zoti Pauëll tha se kishte biseduar me presidentin ukrainas, Leonid Kuçma, për ta paralajmëruar atë kundër çdo përdorim force ndaj protestuesve dhe për t’i bërë atij thirrje që të përfitojë nga nismat për arritjen e një zgjidhjeje përmes negociatave, përfshirë propozimin e bërë nga dy kandidatët në garën presidenciale.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se ai kishte zhvilluar bisedime rreth kësaj çështjeje edhe me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, qeveria e të cilit e kishte bërë të qartë mbështetjen e saj për fituesin e shpallur të zgjedhjeve ukrainase, Kryeministrin Janukoviç.

Ne, tha shefi i diplomacisë amerikane, jemi të dy të interesuar në një zgjidhje të bazuar në ligj, duke përdorur procedura ligjore për zgjidhjen e akuzave për mashtrim, akuza të mbështetura fuqimisht edhe nga Senatori Riçard Lugar, vëzguesit e OSBE-së dhe të tjerë. Ne, theksoi zoti Pauëll, po përpiqemi të përdorim diplomacinë dhe veprimet politike për zgjidhjen e problemit. Ne nuk po shikojmë për ndonjë garë me rusët në këtë çështje, por për një mënyrë që të respektohet vullneti i popullit ukrainas.”

Gjatë konferencës së shtypit, Sekrertari Pauëll muk pranoi të ofronte ndonjë formulë specifike për zgjidhjen e krizës. Ai tha se është paraqitur një propozim për përsëritjen e zgjedhjeve, por shtoi se ka edhe alternativa të tjera që mund të shqyrtohet me kujdes.

Sekretari Pauëll tha se në qoftë që vepron në mënyrë të arsyeshme dhe mënjanon përdorimin e forcës, Ukraina mund të marrë ndihmë të madhe nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Polonia, presidenti i së cilës ka ofruar të shërbejë si ndërmjetës në përpjekjet për zgjidhjen e krizës.

XS
SM
MD
LG