Lidhje

Ëndrra evropiane në shekullin e 21të - 2004-11-26


Për më shumë se dy shekuj, ëndrra amerikane -- ideja se me punë dhe vendosmëri çdokush në këtë vend mund të arrijë sukses personal -- ka qenë një burim shprese, zilie dhe frymëzimi për njerëzit kudo në botë. Por në Evropë tani po lind një variant i kësaj ëndrre për shekullin e 21-të.

Amerikanëve u pëlqen t’i kalojnë pushimet në Evropë nëse ua lejon buxheti. Ata dinë ta shijojnë kulturën, ushqimin dhe diversitetin evropian. Ata i kanë zili evropianët për pushimet e gjata që bëjnë, për orët më të shkurtëra të punës dhe për përfitimet sociale. Por ata mendojnë gjithashtu se ekonomia evropiane nuk ka gjallëri, rendimenti i saj është i ulët, organizimi tepër burokratik, politikat e Evropës janë ndërkaq tepër të dobëta dhe të paefektëshme.

Niall Ferguson, profesor i historisë ekonomike në Universitetin Harvard, thotë se megjithë zgjerimin e saj, Evropa kurrë nuk mund të konkurojë me Amerikën. "Qoftë në aspektin ekonomik, kultural, politik apo në atë ndërkombëtar, Bashkimi Evropian është një entitet në prag të rënies dhe madje të shpërbërjes," thekson profesori.

Analistë të tjerë nuk kanë këtë mendim. Ata thonë se Bashkimi Evropian i zgjeruar po ndeshet me probleme kalimtare por ka patur edhe përmirësime, për shembull rritja e ndikimit ekonomik dhe politik, forcimi i euros apo shtimi i larmisë kulturore.

Jeremy Rifkin, president i Fondacionit për Prirjet Ekonomike dhe autor i një libri me titull ”Ëndrra Evropiane”, thotë se këto përmirësime, duke u shtuarf edhe ftohjen me Shtetet e Bashkuara, i kanë inkurajuar disa udhëheqës evropianoperëndimorë të shpallin vizionin e tyre për shekullin e 21-të - një vizion që sipas tyre i përshtatet më mirë botës së globalizuar se sa ëndrra amerikane e suksesit individual dhe e mbështetjes së forcat e veta. "Amerikanët mendojnë se vendi i tyre mund të jetë një ishull i shkëputur nga të tjerët, me fjalë të tjera një territor që jeton më vete. Por problemi është se ne sot jetojmë në një botë me shumë më tepër lidhje brenda saj. Ne jetojmë në një botë ku ne jemi të gjithë të ekspozuar ndaj gjërave që ndodhin në vende të tjerë. Kështuj për shembull, një epidemi e SARS-it mund të na prekë të gjithëve brenda pak muajve. Një virus kompjuteri mund të na infektojë të gjithëve kudo në botë brenda pak javësh. Një sulm terrorist mund të prek tërë botën brenda pak ditësh dhe po ashtu një skandal financiar."

Zoti Rifkin thotë se ëndrra evropiane, siç e quan ai këtë vizion alternativë për njerëzimin, është thuajse e kundërta e ëndrrës amerikane. Ajo e ve theksin te suksesi i komunitetit se sa tek individi. Ajo vlerëson cilësinë e jetës më shumë se suksesin material. Ajo ka të bëjë me zhvillimin e qendrueshëm dhe me mbrojtjen e mjedisit. Ajo preferon zgjidhjen paqësore të konfliktit në vend të ndërhyrjes së armatosur. Në të njëjtën kohë, thotë Rifkin, shumë amerikanë kanë filluar ta venë në pikëpyetje ëndrrën e tyre.

Gar Alperovitz, profesor i ekonomisë politike në Universitetin e Merilendit, përmend thellimin e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve si rrezikun më të madh që i kanoset ëndrrës amerikane. "Një përqind e amerikanëve zotërojnë rreth 50 përqind, ose gjysmën e pasurive të investuara. Pra vetëm një përqind. Ky është një përqendrim pasurie në përmasa mesjetare."

Profesor Alperovitz thotë se ideja se pasuria e një grupi të vogël arrin të shpërndahet tek njerëzit me të ardhura të mesme dhe të ulta nuk është realizuar. Sipas profesorit Jeremy Rifkin, studimet tregojnë se aktualisht Shtetet e Bashkuara renditen prapa shumicës së vendeve të industrializuar përsa i përket barazisë së të ardhurave. Dhe kjo e pengon përparimin material të njerëzve që është një aspekt kryesor i ëndrrës amerikane. "Vetëm Meksika dhe Rusia vijnë pas Amerikës në këtë aspekt. Pra, në këtë vend po ndodh një dukuri e tillë, që miliona njerëz punojnë me shumë zell, u përmbahen rregullave të lojës e megjithatë nuk janë në gjendje si më parë të bëjnë përpara në pozitën e tyre shoqërore."

Rifkin thotë se shumë imigrantë të rinj që vijnë në Amerikë për t’i shpëtuar varfërisë, mbeten të varfër. Ata që arrijnë sukses material shpesh thonë se atë e kanë arritur në kurriz të jetës së tyre sociale, familiare dhe kulturore. Por Profesor Alperovitz mendon se një portretizim i tillë i Amerikës nuk është aspak i plotë. "Në Amerikë ka edhe gjëra të tjera siç janë shërbimet për komunitetet, pjesmarrja në lagje. Sot ka më shumë njerëz të përfshirë në kompani me pronarë punëtorët se sa ka anëtarë sindikatash në sektorin privat. Pra ekziston edhe një aspekt tjetër i Amerikës që është natyra e saj komunitare."

Dhe pikërisht ky aspekt komunitar i Amerikës do të ndihmojë për rigjallërimin e ëndrrës amerikane, thotë Gar Alperovitz. Sipas tij, vizioni evropian për shekullin e 21-të është shumë tërheqës por jo realist për shkak të vështirësive me të cilat po ndeshet Bashkimi i zgjeruar Evropian.

Jeremy Rifkin është dakord me pikpamjen se me zgjerimin e Evropës rriten edhe problemet e saj: "Në Evropë ka një antisemitizëm në rritje. Ka diskriminim ndaj pakicave myslimane.”

Në këto kushte, vizioni i një ”Evrope të Gjelbër” me diversitet kulturor mund të duket utopik. Por 200 vjet më parë, themeluesit e Amerikës krijuan një ëndërr të re radikale për njerëzimin, ëndërr e cila ka transformuar botën, ve në dukje zoti Rifkin. Sot, evropianët po përpiqen të krijojnë një ëndërr të re të ndryshme por njëkohësisht të denjë për t’u përqafuar.

XS
SM
MD
LG