Lidhje

Bisedë me ushtarët shqiptarë në Irak - 2004-11-27


Rreth 70 ushtarë shqiptarë shërbejnë në Irak në kuadër të forcave të koalicionit. Kolegia Isabela Çoçoli bisedoi me disa prej tyre këto ditë mbi detyrat dhe jeten e tyre në Mosul.

Ushtarët shqiptarë në radhët e forcave të koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak, janë pjesë e një kompanie me shërbim në Mosul. Major Ardian Bali, Komandant i kontigjentit të katërt tha për Zërin e Amerikës se misioni i forcave shqiptare mbetet i pashkëputur nga detyrat që kryejnë forcat e tjera të koalicionit.

“Kontigjenti i katërt, si pjesë e koalicionit anti-terror, kryejnë detyrat në aeroportin e Mosulit, qysh prej datës 14 tetor. Misioni i forcave tona këtu është ruajta dhe sigurimi i zonës së përgjegjësisë, në zonën në të cilën kryejmë detyrën. Detyrat e trupave tona qysh nga koha e ardhjes e deri më sot është patrullimi në qytet dhe në zonat përreth aeroportit, si edhe ruajta e perimetrit të bazës. Profesionalizmi i trupave tona këtu ka bërë të mundur përballimin me sukses të detyrave, të cilat ne kemi patur. Sfida e trupave tona mbeten zgjedhjet që do të zhvillohen në janar dhe mendojmë se kjo do të jetë periudha që regresistët këtu do ta shfrytëzojnë për të destabilizuar gjendjen”.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë shpesh se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ta ndihmojnë Shqipërinë të integrohet në aleancat trans-atlantike dhe kanë vënë në dukje se Shqipëria ka treguar një angazhim mbresëlënës për t’u anëtarësuar në NATO, duke riorganizuar pothuajse të gjitha aspektet e strukturës së saj të mbrojtjes.

Major Hysni Gjergji, oficer ekzekutiv i koordinimit, thotë se kontigjenti shqiptar ka sjellë në Irak shpirtin luftarak të popullit të vet dhe njëkohësisht përpiqet të përfitojë nga përvoja amerikane.

“Ne vlerësojmë si kusht të suksesit të punës sonë këtu, bashkëpunimin dhe koordinimin e mirë të punës midis trupave amerikane dhe atyre shqiptare, sepse edhe detyra jonë këtu është e kombinuar me forcat speciale amerikane. Ne, këtë nivel të lartë bashkëpunimi e kemi treguar në disa situata të vështira të përballuara me sukses nga ana jonë. Të qenit këtu krah për krah me trupat amerikane na ka bërë ne që të sjellim këtu në Irak shpirtin tonë luftarak dhe të marrim nga trupat amerikane eksperiencën e tyre”.

Këto ditë ne u lidhëm me Mosulin për të mësuar më shumë për detyrat dhe jetën e kontigjentit të Shqipërisë. Nëntogeri Albert Malaj me detyrë komandant toge shpejgon detyrat e ushtarëve shqiptarë.

“Detyrat tona këtu janë ruajtja e bazës së aeroportit të Mosulit, kryerja e patrullimit jashtë bazës në qytet, me këmbë dhe me mjete, kryejmë pika kontrolli, si edhe detyra speciale në bashkëpunim me forcat speciale amerikane, ose të koalicionit”.

Gjenerali amerikan në Mosul, Carter Ham, thotë se gendja aktualish në Mosul ka qenë më e tensionuar se gjatë muajve të mëparshëm, por më e mirë nga dy javë më parë, kur pati mjaft luftime në qytet.

Ai u shpreh me fjalët më të mira për oficerët dhe ushtarët shqiptarë që shërbejnë në radhët e forcave nën komandën e tij.

“Ushtarët shqiptarë janë fantastikë. Ata demonstruan forcën e koalicionit. Ata janë pjesë e një kompanie që kryen një mision të rëndësishëm, për sigurimin dhe patrullimin e zonës ku janë caktuar. Populli irakian i respekton dhe është i kënaqur nga ushtarët shqiptar që shërbejnë këtu në Mosul. Këto janë marrëdhënie shumë-shumë të mira dhe ne e kemi për nder që ata janë mes nesh”.

Gjenerali Ham flet edhe për marrëdhëniet e ushtarëve shqiptarë me amerikanët dhe me vendasit.

“Marrëdhëniet me amerikanët kanë vazhduar të përmirësohen. Që kur mbërrita këtu në janar kjo është kompania e tretë. Ne kemi zhvilluar marrëdhënie shumë të mira mes dy njësive tona dhe ndoshta më të rëndësishme nga marrëdhëniet me amerikanët, janë marrëdhëniet e ushtarëve shqiptarë me banorët vendas. Ushtarët janë shumë të sjellshëm kur takojen me civilë irakianë dhe veçanërisht me fëmijët, megjithatë kur atyre u duhet të jenë të rreptë, kur kanë qenë në patrullim, ata kanë kryer me profesionalizëm të lartë detyrat e tyre”.

Gjenerali flet edhe për rrezikun në të cilin kryejnë misionin ushtarët shqiptarë.

“Baza ku ata janë të vendosur, është gjendur shpesh në zjarrin e mortajave. Kur ata janë duke patrulluar, gjithmonë janë të rrezikuar të sulmohen nga forcat armike. Ushtarët gjithmonë përballen me një rrezik real”.

Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Irak ishte një nga temat më të debatueshme gjatë fushatës presidenciale në Amerikë, dhe vazhdon të jetë e tillë si këtu edhe në skenën e politikës evropiane.

Zëri i Amerikës bisedoi për këtë çështje si dhe për marrëdhëniet e trupave shqiptare me vendasit në Irak, me oficerët shqiptarë, Major Ardian Bali dhe Major Hysni Gjergji.

“Në qoftë se mundohesh që një populli t’i japësh lirinë, kjo është gjithmonë diçka e bukur. Kjo u mbetet politikanëve pastaj të vendosin, për ne si ushtarakë liria është mëse e shenjtë dhe për të cilën ne po përgatitemi ta mbrojmë me çdo kusht”, tha major Bali.

Ndërsa Majori Hysni Gjergji duke folur për marrëdhëniet me trupat e koalicionit dhe me vendasit tah se si oficer i koordinimit puna e tij ishte bërë më e lehtë nga paraardhësit e tij që sipas tij kishin bërë një punë shumë të mirë për vendosjen e marrëdhënieve të mira si me forcat amerikane këtu, ashtu edhe me nacionalitetet e tjera, përfshirë edhe vendasit.

“Kultura dhe traditat e tyre kanë qenë për ne të shenjta dhe ne i kemi porositur të gjithë ushtarët tanë që t’i respektojnë dhe nderojnë ato. Në këtë drejtim, duke ndjekur këtë vijë ne nuk kemi patur probleme të tilla dhe mendoj që kemi themeluar, kemi vendosur marrëdhënie shumë të mira edhe me vendasit”, tha ai.

Në intervistën me Zërin e Amerikës, Gjenerali i Brigadës, Carter Ham, u transmetoi këtë mesazh familjeve të ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë:

“Kam një mesazh për familjet e ushtarëve shqiptarë: E di se sa e vështirë është që i keni larg njerëzit tuaj të dashur: vëllezërit, djemtë dhe bashkëshortët tuaj, por më lejoni t’ju them se misioni për ndërtimin e një Iraku të ri, ndihma për popullin irakian që të gëzojë lirinë dhe të mësojë për demokracinë, janë të një rëndësie të jashtëzakonshme. E kam po aq të qartë se ushtarët presin po me aq padurim të kthehen në shtëpitë e tyre në Shqipëri. Ju faleminderit për sakrificat tuaja, ju faleminderit për dërgimin e ushtarëve tuaj në Mosul të Irakut”.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe, që kanë gjetur edhe një herë shprehjen e tyre në pjesëmarrjen e trupave shqiptare në koalicionin e udhëhequr nga amerikanët në Irak.

XS
SM
MD
LG