Lidhje

Shqiptarët festojnë ditën e pavarësisë - 2004-11-28


Në Shqipëri, u festua të dielën 28 nëntori, dita e pavarësisë me një sërë ceremonish në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjerë. Qindra banorë të Tiranës kishin varur flamuj kombëtarë në dritaret e shtëpive në kujtim të gjestit të Ismail Qemalit 92 vjet më parë. Kryeministri Fatos Nano mori pjesë po të dielën në ceremonitë e zhvilluara në Vlorë, ku kanë shkuar për festime edhe shumë banorë nga Kosova dhe Maqedonia.

Me rastin e ditës kombëtare, Presidenti Moisiu mori mesazhe urime nga shumë udhëheqës botërorë, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, i cili mes të tjerash thotë:

“Miqësia e fortë midis dy vendeve tona del në pah në luftën e përbashkët dhe të vendosur globale kundër terrorizmit. Ne po punojmë krah për krah me Shqipërinë, e cila po ecën në rrugën e integrimit euroatlantik. Me popullin shqiptar ne ndajmë të njëjtën dëshirë për të parë lulëzimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, të të drejtave të njeriut dhe zhvillimit ekonomik. Megjithëse mbeten për t’u kapërcyer sfida domethënëse, qeveria shqiptare ka bërë përparime të ndjeshme gjatë tranzicionit nga një e kaluar e dhunshme komuniste. Në përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke ju uruar festën kombëtare, dëshiroj t’ju konfirmoj se Amerika mbështet me gjithë zemër përpjekjet e vendit tuaj për reforma si dhe aspiratat për anëtarësimin në komunitetin euroatlantik”.

Dita e Pavarësisë u festua edhe në Shkoder, ku autoritetet dhe banorët vendosën kurora tek shtatorja e Luigj Gurakuqit dhe në monumentet e tjera historike të qytetit. Në Muzeun historik të Shkodrës u hap nje ekspozitë, ku për herë te pare u ekspozuan flamuj kombëtarë të periudhës nga viti 1913 deri ne 1930.

Edhe në Kosovë shqiptarët festuan sot ditën e flamurit. Ceremonitë kryesore u mbajtën në Skënderaj ku u përurua edhe busti i heroit Adem Jashari. Shqiptarët po festojnë në qytetet dhe fshatrat e Kosovës në mënyrë të ndryshme, në rrugë, në shtëpi dhe me veprimtari kulturore, ndërkohë që udhëheqësit politikë kanë nënvizuar urimin që Kosova të jetë e pavarur në nëntorët e tjerë dhe të hyjë në rrjedhat e integrimeve euro-atlantike.

Dita e pavarësisë kombëtare u festua edhe në Maqedoni, në të gjitha qytetet e banuara me shqiptarë. Një pjesë e madhe e aktiviteteve kulturore-artistike organizohen për herë të parë nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG