Lidhje

NASA në kërkim të burimit të shpërthimeve të rrezeve Gama - 2004-11-28


“Agjensia amerikane e Hapësirës, NASA, ka nisur një satelit para pak ditësh i cili siç shpresojnë shkencëtarët do t’u ndihmojë të gjejnë burimet e shpërthimeve misterioze të rrezeve gama, shpërthimet më të fuqishme më hapësirë. Materiali është përgaditur nga korrespondenti i Zërit të Amerikës David MacAlary.

Nëse rrezet gama mund të shiheshin me sy, në pjesë të ndryshme të qiellit do të shiheshin shkëlqime të herëpashershme, si drita që lëshohet nga llampa e aparatit fotografik. Astronomja Anne Kinney thotë se shpërthimet janë të paparashikueshme dhe nuk ndodhin kurrë në të njejtën zonë.

“Kur shikojmë në qiell me syze të posaçme për rreze gama, ne shohim mesazhe të shkurta 10 sekondëshe që vijnë nga qielli. Ne nuk e dimë se nga çfarë drejtimi do të vijnë ato mesazhe por ato u ngjajnë më tepër kartolinave sesa letrave.”

Astronomët thonë se nuk ka asgjë më të fuqishme se shpërthimi i rrezeve gama. Vetëm një shpërthim i tillë lëshon rreth 100 miliardë herë më shumë energji sesa lëshon dielli për një vit.

“Si mund të prodhohet një sasi kaq e madhe energjie në një kohë kaq të shkurtër, pyet astronomi Neil Gehrless, ekspert i Nasës për rrezet gama”.

Ai thotë se askush nuk e di çfarë i shkakton ato shpërthime por sipas një mendimi ato mund të sinjalizojnë formimin e vrimave të zeza, xhepa të yjeve të rënë, aq të dendur dhe me aq gravitet të madh sa që nuk mund t’i depërtojë as drita.

Shpërthimet e rrezeve gama u diktuan për herë të parë në vitin 1967 nga satelitë të ushtrisë amerikane që vëzhgonin respektimin nga ana e sovjetikëve yë Traktatit për ndalimin e provave bërthamore. Shpërthimi bërthamor lëshon rrezatim gama. Të dhënat satelitore të viteve 70 tregonin shkelje të traktatit, por shpërthime misterioze jashtë sistemit tonë diellor.

Në vitet 90-të, anije si Compton Gama Ray e NASA-s si dhe sateliti italian Beppo Sax, vërejten se shërthimet vinin nga të gjitha drejtimet dhe ndodhnin me miliarda vite drite larg nga galaktika jonë.

Shkëlqimet shihen vetëm për një kohë të shkurtër, duke e bërë të vështirë të mësohet më tepër për to. Zakonisht, pasi sateliti BeppoSax zbulon një shpërthim, të dhënat përpunohen dhe kontrolluesit në tokë e drejtojnë pastaj satelitin në drejtim të vendit ku kishte ndodhur shpërthimi, ndërsa teleskopët tokësorë aktivizohen të vëzhgojnë me anë të rrezeve X dhe rrezeve optike. I tërë ky proces zgjat deri një ditë.

Teleskopi Swift që u hodh në orbitë kohët e fundit, është i projektuar të reagojë menjëherë. Drejtori i misionit, John Nousek thotë se detektorët e teleskopit mund të zbulojnë një shpërthim gama sapo të fillojë duke bërë atë të drejtohet nga vendi ku ndodh shpërthimi.

“Sateliti Swift ka këtë avantazh të madh dhe në fakt ky ishte edhe koncepti themelor në propjektimin e tij. Pra koha që kemi ne nga shpërthim gama deri te analizimi i të dhënave nga njëri nga satelitët është 20 sekonda. Nga pikëpamja shkencore, ky është afati kohor që kemi për të bërë përparim në një fushë të re.”

Reagimi i shpejtë i satelitit Swift ndaj shpërthimeve gama u jep mundësi teleskopëve tokësorë të aktivizohen menjëherë për të marrë të dhëna shtesë nga vëzhgimet. Parashikohet që gjatë misaionit të tij fillestar dy vjeçar, satelit të vëzhgojë rreth 500 deri në 1000 shpërthime gama.

Aftësia satelitit Swift për të reaguar menjëherë është tepër e rëndësishme të shfrytëzohet vetëm për vrojtimin e shpërthimeve gama. Ajo do të përdoret nga shkencëtarët për studimin e fenomeneve të tjera astronomike.

XS
SM
MD
LG