Lidhje

Irani tërheq kërkesën për studime bërthamore - 2004-11-28


Diplomatë perëndimorë thonë se Irani e ka tërhequr kërkesën për vazhdimin e kërkimeve në fushën e teknologjisë për pasurimin e uraniumit, që shihet nga kritikët si një mjet për mbulimin e veprimtarisë së tij të mundshme për prodhimin e armëve bërthamore.

Duke komentuar sot në Vjenë, diplomatët njoftuan se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore ka marrë një letër nga Irani, ku thuhet se Teherani ka rënë dakord t’i ndalë të gjitha aktivitetet për pasurimin e uraniumit. Ky hap është pjesë e një marrëveshjeje të Iranit me vendet evropiane që synon zbutjen e shqetësimeve ndërkombëtare për ambicjet bërthamore të Iranit.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Teheranin se e shfrytëzon aktivitetin për pasurimin e uraniumit për të prodhuar armë bërthamore.

Diplomatët nga Britania, Franca dhe Gjermania, të cilët ishin ndërmjetësues në bisedimet që çuan në pezullimin e veprimtarisë bërthamore të Iranit, kishin kërcënuar se nuk do t’i kundërshtonin sanksionet ndaj Teheranit në se Irani do të shkelte marrëveshjen.

XS
SM
MD
LG