Lidhje

Zyrtarët në Tiranë festojnë 29 nëntorin - 2004-11-29


Autoritetet shtetërore dhe forcat e majta politike në pushtet përkujtuan sot në Tiranë, mes debateve dhe kundërshtimeve të shumta të historianëve, largimin e njësive naziste nga territori i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërtore. Ushtria zhvilloi një parakalim ceremonial në 60-vjetorin e kësaj date domethënëse për nostalgjikët e komunizmit, ndërsa zyrtarët e lartë vendosën kurora me lule në varrezat e dëshmorëve.

Në nderim të kësaj date, zyrtarët madje lejuan që rezidenca të larta shtetërore dhe zyra të tjera të qëndrojnë hapur për t’u vizituar nga qytetarët. Midis tyre është hapur edhe Pallati Mbretëror, i cili me vendosjen e regjimit komunist njihet prej shumë dekadash si Pallati i Brigadave Partizane, duke shënuar simbolikisht me këtë emërtim edhe ndërrimin e pushteteve.

Historianë të njohur pohojnë se 29 nëntori nuk është gjë tjetër veçse një datë e caktuar nga propaganda komuniste për të mbajtur gjallë nostalgjitë e diktaturës dhe për të përkëdhelur votuesit e rregullt të të majtëve. Kjo është edhe arësyeja që të gjitha forcat e djathta në opozitë bojkotuan ceremonitë përkujtimore të kësaj date që njihet si festë zyrtare. Nga ana tjetër, disa parti të vogla politike komuniste dhe puniste e shfrytëzuan këtë ditë për t’ju rikthyer edhe një herë lavdërimeve për diktatorin Enver Hoxha, të cilit edhe disa gazeta vendore i kushtojnë hapësira me shkrime dhe foto.

Qarqet akademike dhe politike të Tiranës zhyten gjithnjë në debate për këtë çështje sapo afrohet muaji nëntor. Parlamenti me shumicë të djathtë më 1992 e fshiu me përbuzje 29 nëntorin nga kalendari i festave, ndërsa parlamenti me shumicë të majtë më 1997 e rivendosi sërish atë. Por më shumë sesa një çështje e historianëve, kjo është bërë një temë e pëlqyer e politikanëve, konfliktet midis të cilëve zënë fill qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG