Lidhje

Primakov: Millosheviçi nuk kishte ndonjë plan për të krijuar Serbinë e Madhe - 2004-11-30


Ish kryeministri rus Yevgeni Primakov tha se ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç, nuk kishte ndonjë plan për të krijuar Serbinë e Madhe gjatë konflikteve në Ballkan në vitet ’90.

Zoti Primakov, doli sot dëshmitar i palës mbrojtëse në gjyqin për krime lufte në Hagë, që po zhvillohet kundër Sllobodan Millosheviçit, i cili po vetë-mbrohet. Ai tha se zoti Millosheviç i kishte thënë se nuk nuk mund të shkaktonte gjakderdhje në masë për të krijuar Serbinë e madhe.

Zoti Primakov ka qënë Kryeministër i Rusisë në kohën e fushatës ajrore të Natos në vitin 1999 kundër Serbisë për shkak të krizës në Kosovë. Ai tha se ishin sulmet ajrore të Natos, dhe jo veprimet e forcave serbe, ato që shkaktuan largimin e shqiptarëve nga Kosova. Zoti Millosheviç përballet me mbi 60 akuza për krime lufte.

Ndërkohë ndërmjetësi kryesor ndërkombëtar në Bosnje, Paddy Ashdown, dënoi sot forcat ushtarake të Serbëve të Bosnjes që kanë vazhduar të paguajnë ish komandantin e tyre, gjeneralin Ratko Mlladiç, edhe për 7 vjet pas ngritjes së akuzave për krime lufte.

Zoti Ashdon tha se kjo është një shkelje skandaloze e marrëveshjes së Daytonit nga ana e zyrtarëve të Republikës serbe të Bosnjes.

Këto komente ai i bëri pas botimit në një gazetë vendase të dokumenteve zyrtare ushtarake të gjeneralit Mlladiç. Dokumentet tregojnë se ai ishte paguar nga ushtria e serbëve të Bosnjes deri në vitin 2002, megjithëse zyrtarët serbë të Bosnjes këmbëngulnin se nuk dinin gjë për vendndodhjen e tij.

//ze//

XS
SM
MD
LG