Lidhje

Gazetari veteran Tom Brakow largohet nga rrjeti televiziv NBC - 2004-11-30


Tri stacione kryesore televizive, në Shtetet e Bashkuara, NBC, CBS dhe ABC, kanë transmetuar lajme dhe emisione zbavitëse për teleshikuesit amerikanë për dekada të tëra. Secila nga këto rrjete transmeton lajmet e mbrëmjes në orën 6:30 dhe për shumë familje amerikane, është bërë traditë të ulen para televizionit për të parë spikerin dhe gazetarin e rrjetit NBC Tom Brakow, atë të CBS-it Dan Rather, apo Peter Jennings të ABC-së. Por disa ekspertë të medias thonë se kësaj epoke mund t’i ketë ardhur fundi, me daljen në pension të spikerit dhe gazetarit të NBC-isë Tom Brakow më 1 dhjetor, pas më tepër se 40 vjet kontributi në televizion, si dhe shpallja kohët e fundit nga spikeri i CBS-it, Dan Rather, se ka në plan të largohet nga puna në fillim të vitit të ardhshëm.

Tom Brokaw ishte gazetari i vetëm i një vendi perëndimor që raportoi direkt nga Muri i Berlinit, më 9 nëntor të vitit 1989.

Historiani për lajmet në televizion, Jeff Alan, thotë se shumica e publikut shihte gazetarin Brakow, në rastet e ngjarjeve kryesore, për shkak se pasioni i tij për lajmet dukej qartë.

"Kur ai qëndronte tek Muri i Berlinit, kur ai u rrëzua, ai e përjetoi këtë ngjarje me plot emocine. Ai e përjetoi pasionin që po ndjenin ata njerëz, të cilët jetuan për vite me radhë nën sundimin komunist dhe kjo pati një ndikim të thellë në jetën e tij. Dhe kjo mund të shihet qartë edhe në raportimin e Tom Brakow-t. Në zërin e tij mund të dallosh që ai, me të vërtetë e jetonte gazetarinë".

Rënia e Murit të Berlinit ishte një prej shumë ngjarjeve më të rëndësishme që mbuloi zoti Brakow.

Tom Brakow është nga Dakota e Jugut. Ai e filloi karrierën e tij në vitin 1962, në Omaha të Nebraskës. Më vonë ai raportoi si nga Bregu Lindor, edhe ai Perëndimor i Shteteve të Bashkuara, si gazetar dhe spiker në Los Anxhelos, pastaj si korrespondent i NBC-isë për Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Brakow filloi punën si drejtues i emisionit të NBC-së ”Today Show”, në vitin 1976 dhe në vitin 1982, ai kaloi në emisionin e lajmeve të mbrëmjes. Fytyra dhe zëri i tij u bënë menjëherë të njohura për miliona amerikanë.

Zoti Brakow e ka kaluar shumicën e karrierës së tij duke udhëtuar nëpër botë, për t’i sjellë lajmet në shtëpinë e teleshikuesve amerikanë.

Në një transmetim të paharruar vetëm disa orë pasi mori fund masakra e vitit 1989 në Sheshin Tienanmem, zoti Brakow dhe një ekip i vogël televiziv, dolën me biçikleta në rrugët e Pekinit. Nëpërmjet një kamere të fshehtë të vendosur tek një prej biçikletave, amerikanët mundën të shohin rrugët e Pekinit, pasi ishin vrarë dhe plagosur mijëra protestues, në përleshjet e dhunshme me forcat qeveritare kineze.

Zoti Brakow ishte korrespondent edhe në luftën e Vietnamit, ai raportoi për skandalin e Watergate-ed, si dhe për përhapjen e epidemisë së SIDË-s.

Kur zoti Brakow u bë drejtuesi i vetëm i emisionit të mbrëmjes të rrjetit NBC, në vitin 1983, ai kryesoi një prej transmetimeve kryesorë të lajmeve- të tjerat ishin rrjetet CBS dhe ABC, të cilat ishin burimet më popullore të lajmeve të mbrëmjes për rreth 29 milionë njerëz, ose rreth një e treta e të gjithë teleshikuesve, thuhet në një raport të grupit kërkimor të medias Nielsen.

Historiani i lajmeve, Jeff Alan, ka shkruar një libër lidhur me drejtuesit e emisioneve të lajmeve, që i kanë dhënë formë medias amerikane. Ai thotë se vendi i rrjeteve televizive në shtëpitë e amerikanëve, nuk është ai që ka qenë vite të shkuara.

Tani, publiku ka shumë zgjedhje për të parë lajmet. Kanalet televizive, si CNN, MSNBC dhe Fox News, mbulojnë lajmet për 24 orë rresht, ndërsa lajmet më të fundit në Internet janë një tjetër burim i fuqishëm informacioni, në çdo kohë.

Por sondazhet tregojnë se megjithëse ndjekja e lajmeve të rrjeteve kryesore televizive ka rënë, përsëri shumica e teleshikuesve shohin pikërisht këto emisione. Kështu, për shembull, CNN-i dhe Fox News së bashku tërheqin rreth 2,7 milionë shikues në mbëmje. NBC, CBS dhe ABC, së bashku tërheqin 26 milionë teleshikues.

Spikeri dhe gazetari Tom Brakow është autor i tre librave më të shitur dhe ai thotë se pasi të dalë në pension, ka në plan të punojë për projekte dokumentarësh për NBC-inë.

XS
SM
MD
LG