Lidhje

Shqipëri: organizohen aktivitete të shumta me rastin e ditës ndërkombëtare kundër SIDA-s  - 2004-12-01


Në Shqipëri sot janë organizuar aktivitete të shumta me rastin e ditës ndërkombëtare kundër SIDA-s. Institucionet shtetërore, organizma ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, shoqata të ndryshme dhe nxënës shkollash janë përfshirë sot në aktivitete të shumta që synojnë të sensibilizojnë dhe informojnë të rinjtë dhe popullatën rreth Sida-s.

Në Tiranë dhe rethe të tjera janë organizuar marshime me qirinj në qendër të qyteteve, ndërsa kudo janë shpërndarë fletëpalosje dhe materiale të tjera informuese për njohjen e Sidas nga publiku.

Në fushatën e ditës së sotme është përfshirë edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Sipas ambasadores Marsi Ris, edhe pse SIDA, për fat të mirë, nuk është një problem emergjent në Shqipëri, ajo prapëseprapë përbën një çështje për të cilën duhet të shqetësohen të gjithë. Qeveria amerikane investon për këtë nëpërjet disa programeve që nga ato të parandalimit të Sida-s deri në ato të luftës kundër trafikimit të seksit dhe prostitucionit.

Për të përkujtuar Ditën Botërore Kundër SIDA-s si dhe në përkujtim të viktimave të SIDA-s, Shtëpia e Bardhë dhe Ambasadat e Sh.B.A. në mbarë botën, do të ulin dritat për pak çaste sot në mbrëmje. Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë do të bashkohet me to në orën 19:00, në shenjë solidariteti në luftën kundër SIDA-s.

Në Shqipëri, rasti i parë i infeksionit Hiv u zbulua në vitin 1993. Që atëherë numri ka arritur në 141, nga të cilët 39 kanë vdekur. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vitet e fundit është vënë re një rritje e numrit të grave dhe vajzave të prekura. Që nga viti 1994 numërohen 38 gra dhe vajza, 2 të tretat e të cilave janë diagnostikuara pas viti 202. Për herë të parë këtë vit në Shqipëri u siguruan fondet nga buxheti i shtetit për ilacet për trajtimin e të sëmurëve me Sida.

Numri i rasteve të zbuluara 141

Numri i grave 38

Numri i burrave 103

Numri i të vdekurve 39

Infeksion me rrugë seksuale 128

Infeksion me anë të gjakut 5 raste

Infeksion nga nëna te fëmija 5 raste

Infeksion me anë të drogës 3

XS
SM
MD
LG