Lidhje

Presidenti Bush përfundon vizitën e tij zyrtare në Kanada - 2004-12-01


Presidenti Bush tha se kujtimet e sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 kundër Amerikës janë një provë e vazhdueshme për nevojën që komuniteti ndërkombëtar të bashkohet për të luftuar terrorizmin dhe për të rindërtuar Irakun.

Presidenti Bush zgjodhi qytetetin Halifax në brigjet e Atlantikut, për fjalimin e tij, një qytet që në Kanada konsiderohet si porta historike e vendit për lidhjen me botën.

Rreth 1 milionë imigrantë kanë hyrë në Kanada përmes këtij porti para se ai të mbyllej si pikë kufitare në vitin 1971. Dhe ishte pikërisht aty ku Presidenti Bush falenderoi kanadezët që pritën gjithë ata njerëz udhëtimi i të cilëve u ndërpre kur u mbyllën aeroportet amerikane dhe fluturimet u devijuan për në aeroporte të tjera më 11 shtator të vitit 2001.

“Dua t’i flas drejtëpërdrejte popullit kanadez dhe ju që jeni këtu sot që pritët amerikanët: Faleminderit për bujarinë e treguar kur Amerika ishte në nevojë.”

Presidenti tha se Amerikanët dhe kanadezët janë si një familje, që megjithëse herë pas here ka mosmarrëveshje, ajo vazhdon të qendrojë e bashkuar.

“Ndjenjat që u panë menjëherë në atë moment, do të jenë gjithmonë të tilla dhe ato janë të thella. Përtej komenteve të politikanëve dhe mosmarrëveshjeve normale që vendet gjithmonë do të kenë, dy popujt tanë janë një familje dhe do të jenë gjithmonë kështu.”

Presidenti foli për historinë e gjatë të paqes në Amerikën e Veriut dhe për vendosmërinë e përbashkët të të dy vendeve për të përballuar sfidat ndërkombëtare.

“Ne e dimë se nuk është e mundur të jetojmë në një izolim të qetë në kontinentin tonë paqësor, duke shpresuar se problemet dhe sfidat e vendeve të tjera nuk do të na prekin. Ne e dime se nuk mund të ketë siguri dhe paqe të gjatë në botë në se nuk i kundërvihemi përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, terrorizmit, gjenocidid dhe varfërisë.”

Presidenti Bush tha se ai dëshiron që bashkëpunimi të shtrihet edhe me vendet e tjera për të arritur të njejtat synime.

Presidenti theksoi rëndësinë e forcimit të institucioneve shumëkombëshe dhe të luftës së efektshme kundër terrorizmit. Por ai shtoi se ndërsa bota po lufton terroristët, ajo po ashtu duhet të përhapë lirinë në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Presidenti tha se vendosja e demokracisë në Irak është një hap i rëndësishëm drejt arritjes së këtij synimi. Ai e pranoi se kishte opinione të ndryshme në se duhej ndërmarë apo jo sulmi në Irak, por ai theksoi se sot ekziston mirëkuptim për nevojën për të rindërtuar dhe vendosur demokracinë në Irak.

“Disa herë edhe miqtë e ngushtë kanë mosmarrëveshje rreth dhe para dy vjetësh ne kishim mendime të ndryshme se cila ishte rruga me mirë për t’u marrë me Irakun. Megjithatë, siç e bëri të qartë kryeministri juaj në Washington, nuk ka asnjë lloj mosmarrëveshjeje se ç’duhet bërë në të ardhmen.”

Presidenti Bush tha se demokracia është kyçi i një të ardhmeje më të mirë për gjithë rajonin, duke theksuar se një qeveri demokratike për palestinezët është para-kusht për paqen me Izraelin. Ai tha se vetëm me demokraci dhe shtetin ligjor mund të bëhet realitet ëndrra e palestinezëve për të patur shtetin e tyre.

//ze//

XS
SM
MD
LG