Lidhje

Scheffer: NATO-ja do t’i mbajë trupat në Kosovë deri kur të gjendet një zgjidhje politike - 2004-12-02


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha në Asamblenë e 50-të të Përgjithshme të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut në Romë se trupat e NATO-s do të vazhdojnë të mbeten në Kosovë deri kur të gjendet një zgjidhje politike për të ardhmen e saj. Zoti Scheffer tha gjithashtu se pavarësisht nga zgjerimi i misionit të aleancës jashtë Evropës, NATO-ja do të vazhdojë të rrisë angazhimin në Ballkan dhe do të punojë së bashku me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë drejt anëtarësimit të tyre. Në asamble, zoti Scheffer tha se aleanca duhet të luajë një rol më të madh dhe të ndryshojë aftësitë e saj ushtarake për t’u përballur me kërcënime të reja. Sabina Castelfranco njofton nga Roma.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha në asamblenë ku kishte rreth 350 të ftuar se gjendja në Kosovë vazhdon të jetë e paqëndrueshme dhe e brishtë dhe se NATO-ja do të vazhdojë të mbetet atje me 17 mijë trupat e saj për të siguruar qëndrueshmërinë derisa të gjendet një zgjidhje politike.

Në takimin treditor të asamblesë, që përqendrohet në të ardhmen e sigurisë Euro-Atlantike, po marrin pjesë nga presidentët e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë që synojnë anëtarësimin në aleancë.

“Megjithëse NATO-ja po angazhohet në vende të tjera, angazhimi ynë në Ballkan është i madh dhe po rritet edhe më shumë. Disa nga vendet e rajonit janë anëtarësuar. Tre të tjerë, presidentët e të cilëve janë sot këtu po përpiqen për t’u anëtarësuar dhe ne po punojmë me ta në këtë drejtim. Ne ndajmë me ta synimin për integrim euroatlantik”, tha zoti Scheffer.

Zoti Scheffer e cilësoi transferimin e sotëm të misionit paqeruajtës të Bosnjës tek Bashkimi Evropian, si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e NATO-s me organizatën evropiane. Ai tha se kishte qenë një operacion jashtëzakonisht i suksesshëm, që filloi me 60 mijë trupa në një periudhë instabiliteti në vitin 1995 dhe po përfundon me 7 mijë trupa.

Ai tha se NATO-ja do të vazhdojë të ketë një prani më të vogël në Bosnje për të mbështetur reformat demokratike të vendit, për të ndihmuar në kapjen e të dyshuarve për krime lufte dhe në luftën kundër terrorizmit.

Duke folur në përgjithësi për rolin e aleancës, zoti Scheffer tha se NATO-ja po kalon një transformim të plotë si ushtarakisht, ashtu edhe politikisht. Ai tha se aleanca duhet të luajë një rol më të madh politik në botë dhe t’i përshtasë aftësitë e veta ushtarake me kërcënimet e kohëve moderne: terrorizmi, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe shteteve të papërgjegjshme.

“Për të mbrojtur sigurinë në kohën e sotme, disa herë na duhet të përballojmë rreziqet e sigurisë që shfaqen larg vendeve tona. Nëse ne nuk i përballojmë këto rreziqe aty ku e kanë burimin, do të vijnë deri në portat tona. Jo vetëm në formën e imigracionin të paligjshëm, trafikut, apo terrorizmit, por edhe në formën e paqëndrueshmërisë që do të jetë e pamundur ta shmangim në një botë të globalizuar dhe gjithnjë e më shumë të ndërvarur”, tha zoti Scheffer.

Ai shtoi se NATO-ja nuk është më një aleancë e përqendruar vetëm në Evropë dhe do të vazhdojë të angazhohet në operacione jashtë zonës së saj, kudo ku të shfaqet nevoja. Ai shtoi se pikërisht për këtë arsye, forcat e NATO-s janë në Afganistan, forcat e saj të marinës janë të angazhuara në një operacion anti-terrorist në Detin Mesdhe dhe kontribuon në stabilitetin e Irakut duke stërvitur forcat irakiane.

Lidhur me krizën politike në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se e ardhmja demokratike dhe integriteti territorial i atij vendi, janë me interes të drejtpërdrejtë dhe jetik për NATO-n.

“Gjendja e krijuar pas zgjedhjeve nuk duhet konsideruar si një rivalitet i Perëndimit ndaj Lindjes, por si një çështje demokracie dhe respekti për vullnetin e popullit. Dhe çfarëdo të jenë qëndrimet e ndryshme mes ukrainasve, ndjenja e përkatësisë ndaj një kombi është shumë e rëndësishme dhe mbi bazën e faktit që duhet gjetur një zgjidhje paqësore demokratike, brenda kuadrit të integritetit territorial të atij vendi”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Presidenti i Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, ambasadori amerikan Robert Hunter tha se NATO-ja po nxit Rusinë të sigurojë që të gjendet një zgjidhje paqësore për procesin zgjedhor të Ukrainës.

“Ky është një moment vendimtar për Ukrainën, përparimin ekonomik, ndërtimin e një shoqërie civile. Do të ishte tragjike për popullin e Ukrainës dhe mendoj edhe për gjithë Evropën, përfshirë Rusinë nëse në një farë mënyre ky proces dështon. Nuk do të kishte pasoja vetëm për Ukrainën, por për demokracinë në gjithë Evropën”, tha zoti Hunter.

Ambasadori Hunter tha se roli i aleancës ka ndryshuar nga ai i përmbajtjes së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij komunistë tek konsolidimi i sigurisë dhe demokracisë në Evropë dhe përtej kufijve të Evropës. Për ta realizuar këtë tha ai, Shoqata e Traktatit të Atlantikut duhet të luajë një rol kryesor në edukimin e një brezi të ri në 26 vendet anëtare të NATO-s.

XS
SM
MD
LG