Lidhje

Gjykata e Lartë e Ukrainës shfuqizoi rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale - 2004-12-03


Gjykata e Lartë e Ukrainës i quajti të pavlefshme rezultatet e balotazhit të 21 nëntorit për zgjedhjet presidenciale dhe kërkoi zhvillimin e një raundi të ri zgjedhjesh pas tre javësh. Vendimi i sotëm pason protestat e dhjetëra mijëra përkrahësve të opozitës në sheshin kryesor të kryeqytetit, Kiev, ndaj rezultateve të shpallura për balotazhin. Demonstruesit e pritën me brohoritje vendimin e gjykatës.

Zyrtarët e zgjedhjeve e kishin shpallur fitues kryeministrin Yanukoviç, por demonstruesit të veshur në ngjyrën portokalli të opozitës, kishin mbushur rrugët e Kievit që pas përfundimit të votimeve. Opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan manipulime masive në favor të kryeministrit Yanukoviç gjatë balotazhit.

Pas pesë ditë hetimesh intensive publike, Gjykata e Lartë e Ukrainës pas një takimi prej 6 orësh vendosi ta shpallë të pavlefshëm rezultatin e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale.

Pas shpalljes së vendimit, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Anatoly Yarema tha se gjykata mbështeti qëndrimin e opozitës se gjatë balotazhit kishte pasur manipulime dhe se raundi i dytë duhej përsëritur: Do të tërhiqet deklarata që e shpallte kryeministrin Viktor Yanukoviç fitues.

Avokati i zotit Viktor Jushçenko, Aleksei Reznik, e përshëndeti vendimin si një fitore për opozitën dhe për të ardhmen e demokracisë në Ukrainë. Ai tha se Gjykata e Lartë kishte përcjellë mesazhin se në Ukrainë sundon shteti ligjor.

Vendimi për përsëritjen e balotazhit është një goditje për presidentin Leonid Kuçma, i cili kishte kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve nga e para.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara përshëndetën vendimin e Gjykatës së Lartë të Ukrainës për t’i shpallur të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve të debatueshme presidenciale.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan e quajti vendimin e sotëm të Gjykatës një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes paqësore dhe demokratike që pasqyron vullnetin e popullit.

Ndërkohë dy zyrtarë të lartë evropianë po rikthehen në Ukrainë për të ndërmjetësuar për mosmarrëveshjet. OSBE-ja njoftoi se Sekretari i Përgjithshëm i saj, Jan Kubis, do të shkojë sot në Ukrainë, në vizitën e tij të tretë në këtë vend brenda kësaj jave.

OSBE-ja thotë se zoti Kubis do të diskutojë me zyrtarët vendas rrugët se si organizata mund të ndihmojë Ukrainën.

Presidenti i Lituanisë Valdas Adamkus po ashtu do të shkojë në Ukrainë, për herë të tretë brenda 10 ditësh.

Po sot, para vendimit të Gjykatës së Ukrainës, parlamenti rus akuzoi institucionet e Evropës Perëndimore për acarimin e tensioneve në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG