Lidhje

Parlamenti i Kosovës miraton presidentin dhe kryeministrin - 2004-12-03


Parlamenti i ri i Kosovës zgjodhi sot me 64 vota pro dhe 34 vota kundër presidentin e vendit dr.Ibrahim Rugova dhe me 72 vota pro dhe 2 vota kundër kryeministrin e ri Ramush Haradinaj. Presidenti Rugova nënvizoi se do të ruajë dhe mbrojë integritetin territorial të Kosovës, unitetin e popullit, se do të angazhohet për zhvillimin ekonomik dhe demokratik, stabilitetin dhe mirëqënien e të gjithë qytetarëve, se do të punojë për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës dhe të integrimit të saj në Bashkimin Evropian,NATO dhe forcimin e miqësisë së vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri i ri, Ramush Haradinaj, nënvizoi disa nga përparësitë që do të ketë qeveria që do të kryesojë ai. Zoti Haradinaj tha se do të punojë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Kryeministri i ri pohoi se ka dorëzuar kopjen e parë të programit të qeverisë së tij.

Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg, theksoi se është me rëndësi që qeveria e re të jetë e sukseshme dhe nënvizoi se kjo qeveri duhet të punojë për plotësimin e standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare. “Duam të punojmë me qeverinë e re për të parë që standartet po plotësohen”, tha zoti Goldberg duke pohuar se qeveria e tij mbështet procesin e lëvizjes drejt standarteve në Kosovë.

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Sorren Jessen Petersen, tha në fjalën e tij se është i përgatitur të sfidojë zyrtarët që nuk arrijnë të kryejnë detyrat e tyre me përgjegjësi, apo ata që bllokojnë përpjekjet për përmirësime në fusha kyçe si të drejtat e pakicave, liria e lëvizjes, kthimi i të zhvendosurve, media e përgjegjshme, dhe siguria. Puna e parlamentit dhe e koalicionit qeveritar, si dhe e opozitës parlamentare do të vendosë në një masë të madhe nëse Kosova do të ketë sukses apo do të dështojë, tha zoti Petersen.

Shefi i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaci, tha se partia e tij do të jetë një opozitë konstruktive dhe se do të kërkojë të gjejë pikat e bashkëpunimit dhe jo të konfrontimit.

Ndërsa drejtuesi i listës qytetare Ora, Veton Surroi, kërkoi që drejtuesit e institucioneve të paraqesin ofertë konkrete për atë që duan të bëjnë. Serbët e Kosovës përfaqësoheshin sot në parlament vetëm nga deputetët e Sllavisha Petkoviç, një grupim i ri i cili mori pjesë për herë të parë në zgjedhje, tetorin e këtij viti. Zoti Petkoviç theksoi se do të mbronte interesat e komunitetit që ai përfaqëson në Kosovë. Grupi më i madh i deputetëve serbë i kryesuar nga Oliver Ivanovic, nuk mori pjesë në punimet e sotme të parlamentit.

XS
SM
MD
LG