Lidhje

Lufta e klaneve mafioze trondit Napolin - 2004-12-04


Në Napoli ka shpërthyer përsëri lufta midis klaneve mafioze. Që nga fillimi i vitit janë vrarë më shumë se 100 vetë. Por gjatë 10 ditëve të fundit, numri i vrasjeve është shtuar ndjeshëm, duke e detyruar qeverinë të marrë masa. Sabina Castelfranco na dërgoi këtë korrespondencë nga Napoli.

Klanet rivale të Kamorrës - mafias napolitane - po luftojnë për kontroll. Kësaj here fjala është për një luftë të dhunshme, ashtu si në në vitet 80, kur në rrugët e Napolit u vranë qindra njerëz. Konflikti i tanishëm ve përballë bosin mafioz që ndiqet nga policia, Paolo Di Lauro, dhe ish pjestarë të organizatës që kanë formuar një fraksion.

Vito Faenza, gazetar i së përditëshmes napolitane Corriere del Mezzogiorno ka më shumë se tre dekada që shkruan për vrasjet e Kamorrës.

”Kjo luftë filloi për trafikun e drogës. Njerëzit që duhet të shisnin drogën nuk e paguan atë.”

Zoti Faenza thotë se bosët e Kamorrës në Napoli arrijnë fitime maramendëse nga trafiku i drogës. Sipas tij, lufta e tanishme midis klaneve rivale ka të bëjë me kontrollin e tregut të drogës. Napoli, thotë ai, është bërë një supertreg droge me shumëllojshmëri të madhe.

Scampia është një prej lagjeve të varfëra në periferi të Napolit ku po ndodhin vrasjet. Por siç ndodh shpesh në këto anë, askush nuk shikon gjë, thotë shefi i policisë Pasquale Errico.

”Në këto vrasje, ne e kemi shumë të vështirë të gjejmë dëshmitarë ose njerëz që të dalin vullnetarisht për të folur,” thotë Errico.

Ai thotë gjithashtu se nuk është i lehtë të shpjegohet as fakti se si zgjidhen viktimat. Shumica e atyre që janë vrarë kohët e fundit nuk kanë pasur të kaluar kriminale dhe hetuesit thonë se nuk duket të ketë ndonjë lidhje midis tyre dhe klaneve mafioze.

Magjistrati Giovanni Corona përgjigjet për hetimet rreth vrasjeve të fundit:

”Ka pak arësye për të shpjeguar se si zgjidhen viktimat që vriten në këtë luftë. Viktima mund të jetë i afërm, mund t’i ketë njohur ata ose mund të ketë ndonjë farë lidhjeje duke bërë që të hyjë padashur në rrethin tragjik.”

Me rritjen e numrit të vrasjeve, Ministri i brendshëm i Italisë, Giuseppe Pisanu dërgoi 325 policë të tjerë në Napoli dhe ka deklaruar se do ta luftojë kamorrën pa hezitim. Por shumë njerëz në Napoli mendojnë se kamorra napolitane nuk mund të mposhtet nëse nuk zbatohen politika të caktuara zhvillimi.

At Luigi Merola, një prift i ri në njërën nga lagjet më problematike të Napolit, thotë se detyrohet të jetojë nën mbrojtjen e policisë ditë e natë, për shkak të kërcënimeve me vdekje që ka marrë sepse ka raportuar në polici njerëz që shpërndajnë drogë.

”Vetëm nëse shteti është i pranishëm ka edhe shoqëri civile. Por kur nuk ka shtet atëhere do të ketë veprimtari të paligjshme,” thotë At Merola, i cili shton se njerëzit jetojnë me frikë dhe nuk ndihen të mbrojtur. Kjo ushqen edhe klimën që i bën klanet kamorriste të lulëzojnë.

Fakti që në disa pjesë të Napolit papunësia arrin më shumë se 50 përqind, ua bën të lehtë klaneve të rekrutojnë të rinj të cilët nuk kanë se ku të drejtohen tjetër.

Edhe diçka tjetër. Shefi i antimafias italiane, Pier Luigi Vigna, ka thënë se sipas tij ekzistojnë lidhje midis disa pjestarëve të kamorrës dhe terroristëve islamikë. Hetimet rreth këtyre lidhjeve vazhdojnë. Zoti Vigna ka thënë gjithashtu se trafiku i drogës kontribuon në financimin e terrorizmit ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG