Lidhje

Ndërmjetësit evropianë do të takohen të hënën në Kiev për zgjedhjet - 2004-12-04


Ndërmjetësit evropianë do të takohen të hënën në Kiev për një tjetër raund bisedimesh lidhur me zgjedhjet e debatueshme presidenciale të Ukrainës.

Zëdhënës të presidentit ukrainas, Leonid Kuçma, i bënë këto komente të shtunën. Zoti Kuçma ka ngritur akuza se marrëveshjet e arritura në bisedimet e mëparshme lidhur me zgjedhjet presidenciale nuk janë përmbushur dhe e kanë keqësuar gjendjen e vendit.

Gjykata e Lartë dha dje urdhër që të përsëritet balotazhi, pasi shpalli të pavlefshme rezultatet e raundit të dytë të 21 nëntorit, nga i cili u shpall fitues kryeministri Viktor Yanukoviç.

Kryeministri pro-rus tha se vendimi ishte marrë nën presionin e ushtruar nga protestat popullore. Ai do të konkurojë përsëri përballë kandidatit të opozitës Viktor Yushçenko më 26 dhjetor.

Dhjetëra mijëra përkrahës të zotit Yushçenko u mblodhën në Kiev dhe qytete të tjera në protesta të vazhdueshme lidhur me manipulime në balotazhin e nëntorit.

Edhe parlamenti i vendit zhvilloi sot një seancë emergjente, por nuk arriti të miratojë masat e kërkuara nga opozita, disa prej të cilave synonin t’u prisnin rrugën manipulimit të votave.

XS
SM
MD
LG