Lidhje

Lirohen të burgosurit Kubanë - 2004-12-04


Kuba liroi edhe pesë persona të tjerë, të cilët ishin burgosur padrejtësisht para më shumë se një viti gjatë një fushate masive kundër disidentëve. Shumica e tyre janë të sëmurë. Shkrimtari për çështje ekonomike dhe udhëheqësi i sindikave të pavarura, Oskar Espinoza Çepe, vuan nga mëlçia. Raul Rivero vuan nga emfizema dhe ciste në veshka. Marcelo Lopez ka një çrregullim nervor. Margarito Broche pësoi një goditje në zemër në burg. Nga 75 kubanët e arrestuar gjatë fushatës janë liruar vetëm 12, të gjithë për arsye shëndetësore.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Riçard Bauçer, komentoi rreth lirimit të pesë kubanëve: “Është me rëndësi të merret parasysh fakti se trysnia e ushtruar nga vendet demokratike ka ndihmuar në arritjen e vendimit për lirimin e pesë të burgosurve dhe duhet pasur gjithashtu në mendje se këta kubanë janë njerëz guximtarë, të cilët ishin burgosur vetëm se kishin ushtruar të drejtën e tyre të njerëzore. Në fakt, theksoi zoti Bauçer, ne nuk i japim ndonjë meritë qeverisë kubane për lirimin e tyre, për shkak se ata nuk duhej të ishin burgosur fare. Dhe shpresojmë se ata mund t’i kthehen veprimtarisë së tyre për ndërtimin e një shoqërie me të vërtetë të drejtë dhe të hapur kubane.”

Kreu i Komisionit jo zyrtar kuban për të Drejtat e Njeriut dhe Pajtimin Kombëtar, Elizardo Sançez, thotë se qeveria komuniste e Fidel Kastros po liron disidentët e burgosur që janë në gjendje të rëndë shëndetësore në mënyrë që të shmangë përgjegjësinë nëse ndonjëri prej tyre vdes në burg. Qeveria, thekson zoti Sançez, nuk po e hap grushtin e saj të hekurt, ajo po hap vetëm dorën e saj për të liruar disa nga të burgosurit.”

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, e cilësoi fushatën e marsit të vitit 2003 kundër veprimtarëve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve si veprimin më të theksuar të shtypjes politike të Kubës në dekada. Shumë nga të arrestuarit kishin të bënin në një mënyrë apo tjetër me Projektin Varela, një fushatë peticioni që kishte për qëllim të bindte asamblenë kombëtare t’i lejonte kubanët që të votonin nëse kërkonin të drejat bazë si liria e fjalës, liria e shtypit dhe e tubimeve si edhe zgjedhje të lira e të drejta.

Qeveria e Fidel Kastros vazhdon prej kohësh t’u mohojë qytetarëve kubanë të drejt bazë të njeriut. “Synimi i fushatës kundër disidentëve, thotë Sekretari i Shtetit Pauëll, ishte të pengonte zhvillimin e një shoqërie të pavurur civile në Kubë”. Por kjo, theksoi ai, nuk i ka ndaluar kubanët e vendosur të hedhin mënjanë frikën për jetën e tyre dhe të ndjekin e shembullin e këtyre veprimtarëve të guximshëm të demokracisë.”

XS
SM
MD
LG