Lidhje

Shkodër: vazhdon situata kritike e shkaktuar nga përmbytjet - 2004-12-05


Në Shkodër vazhdon situata kritike e shkaktuar nga rreshjet e shumta të shiut, të rëna gjatë 48 orëve të fundit. Shtabi i emergjencave civile, i mbledhur të dielën pasdite, publikoi të dhënat paraprake mbi pasojat e kësaj situate.

Më shumë se 100 hektarë tokë vazhdojnë të jenë të përmbytura, ndërsa në 200 shtëpi banimi ujrat kanë vërshuar brenda kateve të para. Gjatë natës, 22 familje janë evakuar me ndihmën e forcave të ushtrisë dhe policisë, duke u larguar nga zonat ku rrezikohej jeta e tyre.

Një numër i madh banesash në lagjet periferike të qytetit kanë vazhduar të jenë të rrethuara nga ujrat.

Megjithë përpjekjet, uji ende nuk është larguar nga kati i nëndheshëm i spitalit rajonal, ndërtesa e telekomit si dhe nga nënstacioni elektrik i Draçinit. Në mbrëmje është mundësuar rikthimi i plotë i energjisë elektrike në të gjithë lagjet e qytetit të Shkodrës.

Ndërkohë, kanë vazhduar të jenë të pakalueshme rrugët që shkojnë në drejtim të pikëkalimit kufitar të Hanit te Hotit dhe Hidrocentralit te Komanit.

Situata po përballohet kryesisht nga mbështetja e forcave dhe mjeteve të ushtrisë dhe policisë. Të dielën në Shkodër ishte edhe Drejtori i përgjithshëm i policisë shqiptare, Bajram Ibraj, i cili tha se të gjitha forcat e policisë janë vënë në gatishmëri dhe në ndihmë të popullatës së rrezikuar në zonat e përmbytura.

Drejtoria e përgjithshme e policisë se shtetit, sapo u vu në dijeni për rreshjet e shumta në Qarkun e Shkodrës, kaloi në shërbim të përforcuar të gjithë efektivat e policisë së këtij Qarku dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

Përveç angazhimit të drejtuesve vendor të policisë, u dërgua në Shkodër edhe një grup drejtuesish dhe specialistësh të Drejtorisë së përgjithshme të policisë për të ndjekur dhe koordinuar të gjithë veprimet me forcat e ushtrisë si dhe me pushtetin vendor dhe komunitetin në Shkodër.

Unë jam këtu për të parë nga afër gjendjen si dhe për të përcaktuar masat që duhen marrë për të ardhmen. Mendoj se, jo vetëm policia e shtetit, por edhe strukturat e tjera te shtetit, është e nevojshme të studiojnë më mirë situatën për të marre masat e nevojshme, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më në Shkodër.

Ndërsa shefi i shtabit të brigadës ushtarake të Shkodrës, nënkolonel Lush Deda, tha se më shumë se 200 forca të ushtrisë si dhe një numër i madh mjetesh, të ardhura nga Tirana, po veprojnë në të gjithë zonën e përmbytjes.

Kemi vënë në dispozicion të shtabit të emergjencës mjediset e tre garnizoneve parësore, që aktualisht nuk kanë efektiva ushtarake, siç është garnizoni i Luginës, Berdicës dhe Kosares, që kanë kapacitet për të strehuar në kushte normale 40 familje. Deri tani kemi sistemuar 47 përsona në kazermën e Luginës, të cilët i kemi furnizuar me batanie dhe dyshekë. Gjithashtu, forcat e ushtrisë së bashku me mjetet e tyre kanë shkuar në zonën e përmbytjes në fshatin Kuç, ku kemi evakuar 15 familje si dhe kemi nxjerrë nga ujrat automjete të bllokuara.

Për shkak të ndërprerjes së rreshjeve dhe paksimit të shkarkimeve nga portat e hapura të Hidrocentralit të Vaut të Dejës, autoritetet vendore shpresojnë në përmirësimin e shpejtë të situatës së krijuar.

Ndërkohë, Partia demokratike fajësoi sot Korporatën elektroenergjitike për situatën kritike të krijuar në Shkodër. Zëdhënësi i kësaj partie deklaroi se, përmes deputetëve të saj, Partia demokratike do t’i kërkojë shpjegime në parlament drejtuesve të KESH-it të cilët, sipas tij, kanë hapur me qëllim portat e shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës.//ii

XS
SM
MD
LG