Lidhje

Presidenti Bush zgjedh në kabinet figura besnike ndaj tij - 2004-12-05


Presidenti Bush do të ketë një grup të ri krerësh departamentesh kur të fillojë mandatin e tij të dytë. Figura më e njohur që po largohet është sekretari i shtetit Colin Powell, i cili zëvendësohet me një prej këshilltarëve dhe miqve më të besuar të zotit Bush, Këshilltarja e Sigurimit Kombëtar Condoleeza Rice. Presidenti po zgjedh edhe njerëz të tjerë besnikë ndaj tij për poste kyçe në sigurimin kombëtar. Profesori i Shkencave Politike Jeremy Mayer në Universitetin George Mason në Arlington të Virxhinias thotë se zoti Bush do vetëm ata njerëz tek të cilët mund të mbështetet.

“Colin Powell, megjithëse e njihte presidentin Bush dhe gëzonte besimin e tij, ai nuk ishte njeri që kontrollohej nga Bushi. Ai kishte mendimet e tija për sa i përket politikës së mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Ndërsa Condoleezza Rice ka lënë shumë pak gjurmë përsa u pëeket pikpamjeve personale në politikën e jashtme. Ajo është analistja e presidentit, ajo do të jetë zëri i tij, por nuk do të jetë zëri i Departamentit të Shtetit siç ka qenë Colin Powell. Në këtë rast, zoti Bush do të ketë kontroll më të madh të drejtpërdrejtë mbi politikën e jashtme”, thotë zoti Mayer.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm në kabinet është ai në Departamentin e Drejtësisë nga i cili dha dorëheqjen prokurori i përgjithshëm, John Aschcroft. Zoti Aschcroft ishte vënë në shenjestër për mënyrën e trajtimit të Aktit Patriot, i cili i jep Departamentit të Drejtësisë pushtetin ligjor për të kufizuar disa liri civile për të gjetur dhe arrestuar terroristët. Ekzekutuesi më i lartë i ligjit në vend do të jetë juristi i Shtëpisë së Bardhë Alberto Gonzales. Zoti Gonzales, latinoamerikani i parë që do të kryesojë departamentin, ka qenë gjithashtu për një kohë të gjatë këshilltar i presidentit Bush. Analisti politik John Fortier nga Instituti Amerikan Enterprise në Washington thotë:

“John Aschcroft ka qenë besnik, por në shumë aspekte ai ka qenë figurë e debatueshme i cili e vinte departamentin në qendër të vëmendjes. Mendoj se Gonzales do t’i jetë besnik presidentit, por do të jetë më pak në sytë e publikut duke tërhequr më pak vëmendje mbi veten dhe mbi çështjet e tjera të debatueshme”, thotë zoti Fortier.

Një anëtar tjetër i kabinetit që do të qëndrojë por që ka ngjallur debate është sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld. Zoti Rumsfeld ka lidhje të ngushta me zëvendës-presidentin Cheney dhe zotin Bush, dhe ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të planifikimeve ushtarake në Afganistan, Irak dhe në përgjithësi në luftën kundër terrorizmit. Ndërsa disa krerë departamentesh planifikojnë të qëndrojnë për momentin, zoti Bush do të emërojë të paktën 8 poste të kabinetit në agjenci të ndryshme duke përfshirë edhe Sigurinë e Vendit.

Ai emëroi zotin Bernard Kerik për të drejtuar departamentin e sigurimit të vendit. Zoti Kerik - ish-komisioner i policisë së qytetit të New York-ut, mbikqyri gjendjen e jashtëzakonshme në qytet menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Në vitin 2003, ai u caktua nga presidenti Bush të ndihmonte në trainimin e forcës së re policore kombëtare të Irakut. Presidenti Bush do të plotësojë edhe poste të tjera në agjencitë e Arsimit, Bujqësisë, Energjisë dhe Tregtisë. Profesor Mayer thotë se është normale që një president të bëjë ndryshime të tilla gjatë mandatit të tij të dytë.

“Ky nuk është një nivel ndryshimi i pazakontë; megjithatë, nëse vazhdon me dy ose tre ndryshime të tjera postesh në kabinet, ose në stafin e lartë të Shtëpisë së Bardhë, atëherë mund të themi se niveli i ndryshimeve është i pazakontë.”

Analistët thonë gjithashtu se zoti Bush kërkon të bëjë më shumë ndryshime edhe brenda vetë agjencive qeveritare.

“Njerëzit që kanë qenë shumë afër vendimeve politike gjatë mandatit të parë, që kanë qenë shumë afër presidentit dhe kanë pasur vëmendjen e tij, kanë më shumë shanse që nismat të përfundohen në këto departamente. Kështu që unë mendoj se është zhvillim i mirë kur dikush vjen nga jashtë, meqenëse është e vështirë të nxisë programin e Bushit aq shumë sa ata të brendshmit.”

Analistët politikë thonë se presidenti Bush do njerëz në kabinetin e tij gjatë mandatit të dytë që do të punojnë ngushtë me anëtarët e kongresit, meqenëse administrata e tij po kërkon miratimin e programit të politikës së brendshme dhe të jashtme.

XS
SM
MD
LG