Lidhje

Kreu i ri i partisë konservatore në fuqi mund t’i ndryshojë fytyrën politikës franceze - 2004-12-05


Në Francë, një politikan popullor, ish ministri i financave dhe i punëve të brendshme, Nicolas Sarkozy (Nikola’ Sarkozi’) erdhi këto ditë në krye të partisë konservatore në fuqi, një hap ky që mund t’i ndryshojë fytyrën politikës franceze. Siç njofton korrespondenti ynë Roger Wilkison, zoti Sarkozy nuk i fsheh ambiciet e tij për t’i zënë vendin presidentit Zhak Shirak, i cili dikur ishte mësuesi i tij. Ai po përpiqet ndërkohë ta paraqesë veten si një konservator i tipit të ri.

Zhak Shiraku, i cili sapo ka mbushur 72 vjeç, ka kaluar 4 dekada në jetën politike dhe këto 10 vjetet e fundit si president është kthyer në një farë personifikimi të Francës.

Politika e tij e jashtme e pavarur, që bazohet mbi idenë e një Bashkimi Evropian të udhëhequr nga Franca si kundërpeshë ndaj Shteteve të Bashkuara, e ka irrituar administratën Bush por përgjithësisht ka fituar simpatinë e francezëve.

Megjithëse konservator, Shiraku ka bërë pak për të zbutur kontrollin e fortë qeveritar mbi ekonominë, megjithë papunësinë e lartë dhe shenjat që tregojnë se në të ardhmen francezët do të paguajnë shumë më tepër për shkollat e tyre të shkëlqyera, për trenat super të shpejtë dhe për uzinat bërthamore.

49-vjeçari Nicolas Sarkozy përfaqëson një tjetër Francë, e cila sipas vetë fjalëve të tij nuk duhet të mbetet e palëvizshme. Ai thotë se e do Francën të bëhet një vend ku puna dhe arritjet shpërblehen, ku krijohet pasuri e re për të financuar shtetin social. Ai dëshiron gjithashtu që Franca t’u shtrijë dorën imigrantëve, sidomos të rinjve myslimanë që ndjehen të braktisur nga një shoqëri e cila nuk i pranon plotësisht në gjirin e saj.

Bir i një emigranti hungarez, zoti Sarkozy ka qenë dikur i përkëdheluri i Shirakut, por marrëdhëniet e tyre u prishën kur ai i erdhi në ndihmë një rivali të Shirakut për presidencën e vendit në vitin 1995. Pas disa vitesh jashtë politikës, Sarkozy u emërua ministër i brendshëm, post që e shfrytëzoi për të goditur krimin e rangjeve të larta dhe kjo i siguroi mbështetje të gjerë në publik. Pas kësaj ai kaloi në ministrinë e financave ku popullariti iu rrit akoma më shumë pas masave që mori për uljen e çmimeve në rrjetin e supermerkatove.

Megjithëse qeveria konservatore ka humbur mjaft në zgjedhjet rajonale dhe evropiane, zoti Sarkozy vazhdon të jetë popullor. Profesor Stefan Collignon i Institutit Evropian pranë Shkollës Ekonomike të Londrës, e përshkruan atë si një tip të ri politikani francez.

"Sarkozy ka krijuar aftësinë për të luajtur me median dhe me opinionin publik. Shumë shpesh, politikat e tij janë madje kontradiktore. Por u flet grupeve të ndryshme të popullatës me fjalë që atyre u pëlqen të dëgjojnë, pra në shumë aspekte, ai është më tepër një kandidat presidencial i tipit amerikan se sa një politikan francez tradicional." Zoti Sarkozy e pranon se ka ambicje presidenciale dhe, megjithëse as ai dhe as Presidenti Shirak nuk kanë thënë nëse do të kandidojnë në zgjedhjet e vitit 2007, sipas professorit Collignon, zoti Sarkozy ka krijuar qysh tani një bazë të mirë elektorale duke u bërë kreu i partisë në fuqi - Bashkimi për Lëvizjen Popullore.

Megjithëse është anëtar i së njëjtës parti si dhe Presidenti Shirak, Zoti Sarkozy ka thënë se do të shprehë atë që mendon për çështjet mbi të cilat ai dhe presidenti nuk janë dakord.

Zoti Shirak dëshiron që Bashkimi Evropian të hapë bisedimet e anëtarësimit me Turqinë, megjithë kundërshtimin e gjerë që ka hasur në Francë ideja e pranimit të Turqisë. Duke folur në ceremoninë e inaugurimit të tij si kryetar i partisë, zoti Sarkozy shprehu një qendrim të ndryshëm..

“Bashkimi Evropian, projekti më i rëndësishëm politik i gjysmës së dytë të shekullit të 20, nuk mund të vazhdojë të zgjerohet pafundësisht.”

Prandaj, ai thotë se dëshiron që Turqia të asociohet me Evropën por jo të integrohet në Bashkimin Evropian.

Zoti Sarkozy thotë se Franca duhet të mbetet një forcë kryesore në zhvillimin e Bashkimit Evropian si një entitet politik dhe jo thjesht si një zonë të tregtisë së lirë. Në këtë aspekt ai është dakord me zotin Shirak.

Ndërkohë që zoti Sarkozy përgatitet t’i bëjë sfidë zotit Shirak për postin udhëheqës të së djathtës france, e majta në Francë është gjithashtu e përçarë.

XS
SM
MD
LG