Lidhje

Presidenti Bush viziton Kanadanë - 2004-12-05


Gjatë vizitës së tij në Kanada, Presidenti Bush falenderoi popullin kanadez për ndihmën që u dha Shteteve të Bashkuara pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti Bush tha në qytetin Halifaks të provincës Nova Scotia se mbrojtja vetëm, nuk është një strategji e mjaftueshme në luftën kundër terrorizmit: “Më 11 shtator, theksoi Presidenti Bush, populli i Amerikës Veriore mësoi se dy oqeane të mëdhenj dhe fqinjët miqësorë nuk mund të na mbrojnë plotësisht nga rreziqet e shekullit 21. Kemi vetëm një rrugë për t’u përballur me armiq që komplotojnë fshehurazi dhe vrasin tinëzisht njerëz të pafajshëm. Ne duhet t’i luftojmë ata në strofkat e tyre. Ne duhet të jemi të paluhatshëm në detyrën për të mbrojtur popullin tonë.”

“Armiqtë tanë e kanë bërë të njohur synimin e tyre, të njëjtën gjë kemi bërë edhe ne, tha Presidenti Bush: “Vendet paqesore duhet ta ruajnë paqen duke ndjekur terroristët, duke prishur planet e tyre dhe ndërprerë burimet e tyre financiare. Ne duhet t’i mbajmë përkrahësit e terrorit njëlloj përgjegjës për aktetet terroriste. Ne nuk duhet t’i lejojmë regjimet e paligjshme të pajisjen dhe të furnizojnë terroristët me armë të shkatërrimit në masë. Ne duhet t’i vazhdojmë këto përpjekje me durim dhe vendosmëri derisa të fitojmë.”

Presidenti Bush u bëri thirrje vendeve të lira të ndihmojnë në përpjekjet për nxitjen e demokracisë dhe të qendrueshmërisë në Lindjen e Mesme: “Nëse pas 20 vjetësh, tha Presidenti Bush, Lindja e Mesme mbizotërohet nga diktatorët dhe mullahët që prodhojnë armë të shkatërrimit në masë dhe strehojnë terroristët, fëmijët dhe nipat e mbesat tona do të jetojnë në një botë ankthi plotë rreziqe. Kjo nuk duhet të ndodhë.”

Duke marrë anën e reformatorëve dhe demokratëve në Lindjen e Mesme, tha Presidenti Bush, ne do të fitojmë aleatë në luftën kundër terrorit, do të izolojmë ideologjinë e vrasjes dhe do të ndihmojmë në mposhtjen e dëshprimit dhe dobësisë, të cilat janë burimi i terrorit. “Me përparimin e demokracisë, tha ai, bota do të bëhet një vend shumë më i sigurt.”

XS
SM
MD
LG