Lidhje

Presidenti amerikan dhe ai irakian kundër shtyrjes së datës së zgjedhjeve në Irak - 2004-12-05


Presidenti Bush zhvilloi sot takime të nivelit të lartë për Irakun, me presidentin e përkohshëm të Irakut Ghazi al-Yawar dhe Mbretin Abdullah të Jordanisë në Shtëpinë e Bardhë, ku të dy udhëheqësit u zotuan se zgjedhjet në Irak do të zhvillohen më 30 janar, sipas planit.

Zoti Yawar tha se zgjedhjet do të jenë arritja e parë pas çlirimit të Irakut. Ai shtoi se shumica e irakianëve presin me padurim të hedhin votën e tyre në mënyrë demokratike për herë të parë pas 45 vjetësh. Presidenti Bush tha se dëshira e popullit irakian për të votuar është jashëzakonisht e madhe dhe ajo e mbizotëron kapacitetin e terroristëve.

Mesazhi i Presidentit Bush ishte i njëjti gjatë takimeve: zgjedhjet e përgjithshme në Irak duhet të mbahen në datën e parashikuar, pavarësisht nga intensifikimi i dhunës.

“Unë besoj se është e nevojshme që populli i Irakut të votojë më 30 janar, sepse kjo u jep njerëzve mundësinë të thonë fjalën e tyre në procesin demokratik”, tha Presidenti.

Duke folur vetëm disa orë pas një sulmi terrorist në konsullatën amerikane në Jeddah të Arabisë Saudite, zoti Bush theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të frikësohen. Ai tha se Amerika do të vazhdojë të përkrahë përpjekjet për të vendosur demokracinë në rajon dhe shtoi se një shoqëri e lirë në Irak do të ishte një humbje e madhe për terrorizmin.

Presidenti i përkohshëm i Irakut i cilësoi kryengritësit “ushtri të errësirës”. Ghazi al-Yawar tha se populli i Irakut është i vendosur që të ecë përpara.

“Fitorja nuk është vetëm një mundësi, ajo është një fakt. Ajo ekziston dhe ne jemi të angazhuar. Ne i kemi të gjitha mundësitë të fitojmë”, tha zoti Anwar.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë rritur numrin e trupave në Irak nga 138 mijë në 150 mijë, presidenti i përkohshëm i Irakut e quajti këtë veprim një hap të nevojshëm në mënyrë që zgjedhjet të mbahen sipas parashikimeve.

Edhe Mbreti Abdullah i Jordanisë u takua me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi Irakun. Bisedimet u përqendruan gjithashtu në procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe perspektivat e zgjedhjeve të ardhshme palestineze.

XS
SM
MD
LG