Lidhje

SHBA: Pasagjerët reagojnë ndaj kontrolleve të imtësishme në trup - 2004-12-06


Administrata amerikane për Sigurimin e Transportit kohët e fundit intensifikoi masat e kontrollit ndaj pasagjerëve duke vënë në zbatim një proces më të hollësishëm. Por disa mendojnë se ky lloj kontrolli ushtrohet disi me tendencë. Korrespondentja jonë, Kathie Sarrah, njofton:

Pas vdekjes së 90 vetëve në rrëzimin e dy avionëve rusë, ndërkohë që shkaku mendohet se ishin dy çeçene me mjete jometalike shpërthyese nën rrobat e tyre, Administrata për Sigurimin e Transportit urdhëroi punonjësit në aeroporte të realizojnë kontrolle më të të hollësishme dhe të shpeshta të udhëtarëve para se këta të hipin në avionë.

Procedurat e reja parashikojnë kontroll më të imët në trup për të përcaktuar nëse pasagjeri ka objekte të fshehura nën rroba. Dhe megjithëse gratë kontrollohen nga punonjëse gra, kurse pasagjerët meshkuj kontrollohen vetëm nga meshkujt, më shumë femra se meshkuj janë përzgjedhur për këto procedura të posaçme.

Disa pasagjerë, shumica gra, thonë se kontrolli i imët në trup të bën të ndjehesh keq dhe është poshtërues. Aktorja dhe këngëtarja Patti LuPone tha se ishte tronditur pa masë kur ishte veçuar nga të tjerët dhe i ishte kërkuar të hiqte bluzën duke bërë të ekspozohet plotësisht pjesa e sipërme e trupit.

“Ishte hera e parë që kontrollohesha imtësisht dhe nuk m’u dha asnjë lloj shpjegimi. Nuk e dija se ç’po ndodhte dhe i thashë personelit të kontrollit se ata duhet të komunikojnë me pasagjerët. Nuk mendoj se ka ndonjë pasagjer që nuk do të bashkëpunonte plotësisht nëse do t’i kërkohej”.

Shumë gra të tjera që janë veçuar për kontroll të imët, janë ankuar se kjo procedurë është fyese dhe tej mase e imët kur personeli i kontrollon në krahëror për t’u siguruar se pasagjeret nuk kanë fshehur gjë. Bop Kapp i Administratës për Sigurimin e Transportit thotë se personeli i kontrollit është kualifikuar të shmangë vënien e pasagjerëve në pozitë të vështirë, por kontrolli i imët në gjoks është diçka për të cilën të gjithë pasagjerët duhet të mësohen.

“Amerikanët, ashtu si në kulturat e tjera, nuk ndjehen mirë kur preken në trup. Prandaj duhet të kemi kujdes. Ne i kualifikojmë kontrolluesit që të jenë sa më të sjellshëm e profesionistë”.

Në një javë të zakonshme, nga rreth 14 milionë pasagjerë që kalojnë përmes procedurave të kontrollit në aeroporte, rreth 1 milion përzgjidhen për kontroll të imët në pjesët e krahërorit. David Stone, Nënadmiral i Administratës së Sigurimit të Transportit thotë se duke patur parasysh numrin e udhëtarëve, numri i ankesave është relativisht i vogël.

“Kemi patur rreth 12 ankesa në javë nga 2 milionë njerëz tek të cilët kemi zbatuar këto masa. Dhe ankesat zakonisht sillen rreth faktit se në këtë rast të veçantë, personeli i kontrollit nuk ua ka shpjeguar procesin e kontrollit udhëtarëve”.

Në Shtetet e Bashkuara ka filluar sezoni i udhëtimeve intensive me rastin e festave dhe vihet re një shtim i njerëzve që udhëtojnë në krahasim me vitin e kaluar. Me futjen e masave të reja, pasagjerëve u thuhet se ata mund të kërkojnë që kontrolli t’u bëhet në një dhomë të veçantë nëse përzgjidhen për kontroll të imët. Administrata e Sigurimit të Transportit vazhdimisht u kujton udhëtarëve se çdo pasagjeri i kërkohet të heqë rrobat e sipërme, si xhaketat, trikot etj. para se të kalojë procedurat e kontrollit.

XS
SM
MD
LG