Lidhje

Shtetet e Bashkuara në luftën globale kundër sidës - 2004-12-06


Këtë muaj, Dita Botërore e Sidës u shënua për të kujtuar ata që kanë vdekur nga kjo sëmundje dhe ata që jetojnë të infektuar nga virusi Hiv që e shkakton atë. Sipas drejtorit ekzekutiv të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për Sidën, Dr. Peter Piot, rajoni më i prekur është Afrika Nënsahariane, ku 25 milionë banorë janë të infektuar nga virusi Hiv dhe 13 milionë të tjerë kanë vdekur. Zona që radhitet në vend të dytë për sa i përket numrit të të infektuarve nga virusi që shkakton Sidën, është Pellgu i Karaibeve, ku më shumë se 20 për qind e të rriturve janë të infektuar.

Por, asnjë pjesë e botës nuk është plotësisht e mbrojtur. Dr. Piot thotë se gjendja në Kinë, Indi dhe Rusi është shumë afër përmasave të rrezikshme. Sipas tij, nëse ritmi i përhapjes së epidemisë arrin vetëm një përqindje të vogël të asaj që shihet në disa vende të Afrikës, kjo do të nënkuptonte dhjetëra miliona infektime në këto tre vende.

Presidenti Bush ka angazhuar Shtetet e Bashkuara të shpenzojnë 15 miliardë dollarë gjatë një periudhe 5 vjeçare për të luftuar epideminë e sidës në më shumë se një qind vende. Plani është i përqendruar në mënyrë të veçantë tek 15 vendet, ku jetojnë 50 për qind e të infektuarve nga virusi Hiv. Ato janë Botsvana, Etiopia, Guajana, Haiti, Bregu i Fildishtë, Kenia, Mozambiku, Namibia, Nigeria, Ruanda, Afrika e Jugut, Tanzania, Zambia dhe Vietnami. Në këto vende, Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt reailizmit të objektivit të tyre të mbështetjes së terapive për 200 mijë njerëz të prekur nga virusi Hiv në vitin e parë të programit.

Randall Tobias është bashkërenduesi amerikan në luftën globale kundër sidës: “Me realizimin e këtij objektivi afatshkurtër, tha zoti Tobias, ne nuk do të ndihmojmë vetëm për dyfishimin e numrit të njerëzve që u sigurohet trajtimi mjekësor në vendet afrikae në jug të Saharës brenda një viti, por do të realizojmë edhe objektivin tonë afatgjatë të sigurimit të trajtimit mjekësor për mbi dy milionë njerëz brenda 5 vjetëve të parë të planit urgjent në 15 vendet ku janë përqendruar përpjekjet tona.”

Një nga këta persona që kanë përfituar nga terapia që ofron plani, është Buse Banga. Ajo ishte në gjendje koma në një spital të qytetit Lukasa të Zambias. Fqinjtë e saj kishin humbur të gjitha shpresat për shërimin e saj. Por, dy javë pasi filloi trajtimin në një klinikë të financuar nga Shtetet e Bashkuara, ajo hapi sytë. Tani, ajo është kthyer në shtëpinë e saj.

“Populli amerikan ka ndërmarrë një mision historik për të kthyer prapa rrjedhën e epidemisë së virusit hiv dhe të sidës”, thotë Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll. “Shtetet e Bashkuara, thekson zoti Pauëll, po punojnë në partneritet me qeveri dhe komunitete në gjithë botën për të ngjallur shpresën për miliona njerëz që jetojnë nën hijen e virusit Hiv dhe të Sidës. //az//

XS
SM
MD
LG