Lidhje

Shqipëri: arrihet marrëveshja mes grevistëve dhe qeverise - 2004-12-07


Në Shqipëria qeveria dhe profesorët e universiteteve të cilët janë hedhur që prej më shumë se dy javësh në një grevë pa afat, arritën të bien në marrëveshje mes tyre lidhur me kërkesat e paraqitura nga stafet akademike. Pas një takimi ku morën pjesë tre ministra, qeveria pranoi në parim kërkesat e pedagogëve dhe të dy palët do të nënshkruajnë nesër një marrëveshje të përbashkët. Pedagogët e univesriteteve deklaruan megjithatë se greva do të mbyllet kur zgjidhja e kërkesave të tyre të marrë formën e një vendimi qeveritar

Qeveria shqiptare bëri një kthim prapa sot nga deklarata e dy ditëve më parë lidhur me grevën që ka mbërthyer që prej më shumë se dy javësh universitetet kryesore të Tiranës dhe të disa qyteteve të tjera. Ndërsa me propozimet e ofruara, qeveria i konsideronte të zgjidhura kërkesat e profesorëve dhe refuzonte si të papranueshme dyfishimin e pagave, sot në takimin e zhvilluar mes tre ministrave të Financës, Arsimit dhe Ministrit të Shtetit, Marko Bello me komisionin e grevës, përfaqësuesit e qeverisë kanë rishikuar qëndrimin e tyre.

Sipas Kryetarit të Komisionit të Grevës Ismail Hoxha, qeveria ka rënë dakort në parim me kërkesat e tyre. Ministri i Shtetit Marko Bello deklaroi se qeveria do të marrë përsiper futjen e disa akteve nënligjore, përfshirë edhe amendimin e ligjit për arsimin, me anë të të cilave të garantohet autonomia financiare dhe institucionale e universiteteve. Po ashtu është gjetur zgjidhje edhe për çështjen e pagave. Qeveria ka rënë dakort në parim për përfshirjen e pagave të pedagogeve në piramidën e pagave shtetërore në përputhje me dinjitetin e figurës së pedagogut. Profesor Hoxha shpjegoi se tani mbetet për të diskutuar pozicioni që do të gjejnë stafet akademike në sistemin e pagave të administratës shtetërore.

Të gjitha zgjidhjet për të cilat është rënë dakort sot do të përfshihen në një akt marrëveshjeje, i cili pritet të firmoset nesër nga të dyja palët. Sipas këtij akti, qeveria angazhohet që çdo zgjidhje e kërkesave të profesorëve të marrë formën e një vendimi qeverie.

Pavarësisht konsensusit të arritur, greva nuk do të quhet e përfunduar. Profesor Hoxha tha se ajo do të mbyllet vetëm kur gjithshka të marrë formën zyrtare. Zanafilla e protestës së universiteteve shqiptare u bë një udhëzim i Ministrit të Arsimit për mënyrën e llogaritjes së shpërblimit të pedagogëve, i cili u kundërshtua nga Universitetri Politeknik. Disa greva ditore nuk çuan në gjetjen e një zgjidhjeje me autoritetet qeveritare, përkundrazi konflikti i hapur nxiti përfshirjen edhe të universiteteve të tjera në protestë dhe shpalljen e grevës pa afat.

XS
SM
MD
LG