Lidhje

Birmania refuzon të lirojë të burgosurit politikë  - 2004-12-08


Megjithë njoftimin e sunduesve ushtarakë të Birmanisë se ata do të pezullojnë dënimet për afro 9 mijë të burgosur, duket se vetëm disa qindra prej tyre janë liruar. Udhëheqësi studentor, Min Ko Naing, i burgosur qysh nga viti 1989, u lirua por shumë pak të tjerë të burgosur për pikpamjet e tyre politike janë lënë të lirë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se në Birmani ka më shumë se 1 mijë e 300 të burgosur politikë. Por në të njëjtën kohë, udhëheqësit e juntës e kanë bërë të qartë se aktivistja e demokracisë dhe fituesja e Çmimit Nobel të Paqes, Aung San Suu Kyi do të vazhdojë të qendrojë në burg. Refuzimi i vazhdueshëm i juntës për lirimin e saj dhe të gjithë të burgosurve të tjerë politikë i ka venitur shpresat për ndonjë progres drejt demokracisë në Birmani. Partia e saj Lidhja Kombëtare për Demokracinë arriti fitore me shumicë dërmuese votash në zgjedhjet e vitit 1990, por junta nuk e lejoi të vinte në fuqi.

Aung San Suu Kyi u ndalua përsëri në maj të vitit 2003, kur një autokolonë në të cilën ndodhej ajo vetë, zëvendësi i saj, U Tin Oo dhe anëtarë të tjerë të partisë, u sulmua nga banditë të qeverisë birmaneze. Ajo u mbajt në një vend të fshehtë deri në shtator, kur u vendos në arrest shtëpie. Ja se si u shpreh zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Richard Boucher:

"Natyrisht që ne jemi thellësisht të zhgënjyer. Junta vazhdon të mos përfillë thirrjet ndërkombëtare për lirimin e zonjës Aung San Suu Kyi, zotit U Tin Oo, dhe të të gjithë të burgosurve të tjerë politikë. Ne u bëjmë përsëri thirrje atyre ta bëjnë këtë menjëherë dhe pa kushte."

Populli i Birmanisë, tha zoti Boucher, meriton të jetojë i lirë.

"Ne i bëjmë thirrje juntës birmaneze që ta angazhojë opozitën demokratike dhe grupet etnike të pakicave në një dialog kuptimplotë i cili të çojë në një pajtim të vërtetë kombëtar dhe në vendosjen e demokracisë. Ata duhet të lejojnë Lidhjen Kombëtare për Demokracinë që të rihapë zyrat e saj dhe të lejojë njerëzit e saj të punojnë në ato zyra që ata të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore," tha zoti Boucher.

Shtetet e Bashkuara qendrojnë fuqimisht në krah të demokratëve birmanezë në luftën për liri në Birmani. Siç është shprehur Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’u thonë të gjithë patriotëve të vërtetë birmanezë se i mbështesin ata. Kini besim, tha ai, se dita e demokracisë për Birmaninë nuk do të vonojë.//ii

XS
SM
MD
LG