Lidhje

Analistët: rënia e dollarit ndaj Euros mund ta çojë më poshtë ekonominë evropiane  - 2004-12-08


Dollari amerikan pësoi një rënie tjetër në krahasim me Euron dje. Sipas Institutit për Ekonominë Ndërkombëtare, një agjenci jo-qeveritare në Washington, rënia e theksuar e dollarit është e mirëpritur dhe valuta amerikane duhet të bjerë akoma edhe më tepër për të penguar paqëndrueshmërinë e mundshme financiare globale, që mund të shkaktohet si rezultat i deficiteve të mëdha tregëtare dhe buxhetore të Shteteve të Bashkuara.

Dollari ka rënë rreth 15 përqind në krahasim me valutat e tjera gjatë tre viteve të fundit. Në krahasim me Euron, rënia ka qenë edhe më e madhe. Por instituti i ekonomisë thotë se korigjimi i dollarit nga nivelet e larta të kohëve të fundit nuk ka përfunduar ende. Studiuesi John Williamson thotë se dollari duhet të bjerë akoma. “Unë mendoj se ishte e nevojshme që dollari të binte dhe në përgjithësi ai duhet të bjerë akoma. Ai ka rënë vetëm në gjysëm e asaj që duhet të binte. Dollari nuk ka lëvizur pothuajse fare ndaj valutave aziatike. Për shembull monedha kineze është e lidhur me dollarink. Pra aty nuk ka pasur asnjë lëvizje.”- thotë studjuesi.

Refuzimi i Kinës për të ri-vlerësuar valutën e vet, thonë analistët e hedh të gjithë peshën e përshtatjes së dollarit tek Shtetet e Bashkuara dhe Europa. Dollari ka rënë përafërsisht 40 përqind në krahasim me Euron që nga viti 1999. Kjo do të thotë se pushimet në Europë janë bërë shumë të shtrenjta për amerikanët.

Nga ana tjetër, për europianët pushimet në Shtetet e Bashkuara janë bërë më të lira. Disa konsumatorë anglezë madje po kalojnë Atlantikun vetëm për të blerë, duke shfrytëzuar përparësitë e rënies së dollarit në krahasim me stërlinën, pavarësisht se David Southwell, një zëdhënës i shitjeve me pakicë në Angli thotë se kjo nuk po i dëmton shumë shitjet. “Fluturimet transatlantike janë akoma të shtrenjta. Ka një kufizim të gjërave që mund të sjellësh për krishtlindje para se të hysh në probleme me doganën. Por, është e vërtetë që akoma po shohim disa njerëz që fluturojnë në Shtetet e Bashkuara, në New York dhe Florida.”- thotë ai.

Askush nuk e di se sa do të bjerë dollari akoma. John Williamson nga Instituti Ndërkombëtar i Ekonomisë thotë se Sekretari amerikan i Thesarit nuk është bindës kur thotë se administrata e presidentit Bush favorizon një dollar të fortë. “Ky ka qenë qëndrimi i sekretarëve amerikanë të thesarit prej thuajse një dekade. Por kjo nuk do të thotë gjë. Megjithëse dikur ka pasur rëndësi.”

Zoti Willliamson thotë se rreziku më i madh tani është se një Euro e fortë mund ta çojë ekonominë e dobët europiane në rënie të mëtejshme.// lk //

XS
SM
MD
LG