Lidhje

Terrorizmi në kohët moderne - 2004-12-08


Shumica e amerikanëve nuk i kishin kushtuar rëndësi rreziqeve që vinin nga terrorizmi para sulmeve terroriste të al-Qaidës në New York dhe Washington më 11 shtator 2001, ku u vranë mijra vetë. Por dhuna politike nuk është ndonjë gjë e re.

Komisioni dy partiak për hetimin e sulmeve të 11 shtatorit tha se Shtetet e Bashkuara ishin krejtësisht të papërgatitura për çfarë ndodhi atë ditë. Thomas Kean, kryetar i këtij komisioni, thotë se sulmet nuk duhet të kishin qënë të papritura. "Ne nuk arritëm t’i kuptonim përmasat e kërcënimit që ishte grumbulluar gjatë një periudhe të konsiderueshme kohe. Siç e kemi përshkruar me hollësi në raportin tonë, ky ishte një dështim i politikës, drejtimit, aftësisë, dhe mbi të gjitha i imagjinatës."- thotë zoti Kean.

Por terroristët e kanë vënë në veprim imagjinatën e tyre prej kohësh. Bruce Hoffman, ekspert i terrorizmit në Korporatën RAND, një grup studimor në Uashington, thotë se që nga sundimi i terrorit gjatë revolucionit francez në fund të shekullit të 18-të, grupet terroriste kanë patur objektiva të qarta. "Mund të vihet re se terrorizmi kishte qëllime laike, qoftë i shprehur në separatizmin etno-nacionalist, me pak fjalë në krijimin apo rikrijimin e një atdheu historik apo në krijimin e një shteti të ri, ose i shprehur në forma tejet ideologjike të të gjitha ngjyrimeve, marksiste, leniniste, maoiste, autoritare të krahut të djathtë, apo totalitare."- thotë eksperti.

Dy shembuj të këtyre organizatave tradicionale terroriete janë grupet paramilitare, Ushtria Republikane Irlandeze, IRA, dhe organziata separatiste baske, ETA. IRA kryente sulme me bomba dhe vrasje me synimin për të fituar pavarësinë e gjithë Irlandës nga Britania e Madhe. ETA vriste politikanë dhe kryente shpërthime për të tërhequr vemendjen për objektivin e saj të pavarësisë nga Spanja.

Por zoti Hoffman thotë se gjatë 20 vjetëve të fundit, janë krijuar rrjete të reja terroriste më të papërcaktuara dhe me shtrirje ndërnacionale. Ato janë amorfe dhe kanë celula në dhjetra vende. Në vitin 1979, revolucioni islamik në Iran solli në fuqi Ayatollah Khomeinin, duke shkaktuar ngritjen e ekstremizmit islamik Shia. Më vonë Irani mbështeti grupe të tilla si Hezbollahu libanez, që qeveria amerikane e konsideron organizatë terroriste.

Po ashtu në vitin 1979, ushtria sovjetike pushtoi Afganistanin. Në përgjigje të kësaj, sauditi Osama bin Laden u bashkua me rezistencën afgane, ose muxhahedinët, që ishin kryesisht myslimanë suni.

Në vitet 80-të, Agjencia Qendrore e Zbulimit Amerikan i stërviti dhe i furnizoi muxhahedinët në luftën kundër komunizmit. Deri në vitin 1988, bin Ladeni kishte formuar grupin e tij të ri, al-Qaeda, me pjesëmarrjen e muxhahedinëve dhe mbështetësve të tij të tjerë.

Disa analistë thonë se këta luftëtarë myslimanë morën famë për suksesin e tyre në dëbimin e rusëve nga Afganistani. Me rënien e Bashkimit Sovjetik, bin Laden dhe rrjeti i tij e kthyen vemendjen tek Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Lindjen e Mesme. Eksperti i terrorizmit, Bruce Hoffman, thotë se qëllimet e bin Ladenit janë tepër ambicioze, një luftë e shenjtë në emër të Islamit kundër kulturës perëndimore. “Me siguri që ai përpiqet të zhdukë ndikimin perëndimor nga vendet myslimane. Me siguri që ai synon të shkatërrojë ato që ai i shikon si qeveri autoritare, anti-Islamike, e të korruptura në vende të ndyshme të botës si dhe shkatërrimin e shtetit të Izraelit”.- thotë Hoffman.

Mesazhi i bin Ladenit u bën jehonë ndjenjave të miliona myslimanëve në Lindjen e Mesme dhe gjetkë, të cilët janë të zemëruar me Shtetet e Bashkuara.

Omer Taspinar është studjues i Islamit në Institutin Brookings në Uashington. Zoti Taspinar thotë se sipas pikpamjes së shumë myslimanëve të varfër, bin Ladeni është bërë hero për luftën e tij në emër të njerëzve të varfër dhe të shtypur. "Ata nuk janë të kënaqur me mënyrën se si vendet e tyre drejtohen dhe ata i shikojnë udhëheqësit e tyre, udhëheqësit autoritarë, veçanërisht në Arabinë Saudite dhe në Egjipt, si diktatorë, por miq të Shteteve të Bashkuara. Prandaj ata nuk i besojnë retorikës se Shtetet e Bashkuara duan të përhapin demokracinë në Lindjen e Mesme kur shikojnë se administrata e Uashingtonit ka marrëdhënie miqsore me regjimet autoritare në Lindjen e Mesme."-thotë ai. Por jo me të gjitha këto regjime të rajonit. Presidenti Bush dha urdhër për pushtimin e Irakut dhe Afganistanit në kuadër të luftës kundër terrorizmit. “Vendosja e lirisë dhe demokracisë në vendet ku ka patur pakënaqësi dhe terror është në interesin tonë kombëtar. Një Irak i lirë do të ndihmonte në ndryshimin e botës. Një Irak i lirë do të ndihmonte në ndryshimin e një zone që ka nevojë për ndryshime”.- tha Presidenti.

Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara po e fitojnë luftën kundër terrorizmit. Kritikët e tij nuk janë dakord. Benjamin Barber, është ekspert i demokracisë në Universitetin e Marylandit. "Problemi me administratën e Presidentit Bush është se ajo pretendon se po e fiton luftën kundër terrorizmit kur nuk po e lufton terrorizmin, ajo po lufton shtetet e papërgjegjshëm. Unë do të thosha se ajo po fiton luftën kundër shteteve të papërgjegjshëm, duke mundur talebanët në Afganistan dhe duke mundur Irakun bathist të Saddam Husseinit. Çështja është nëse mposhtja e shteteve të papërgjegjshëm mund të identifikohet me mundjen e terrorizmit. Kam frikë se përgjigja është jo." Zoti Barber thotë se terroristët janë bërë pjesë e infrastrukturës ndërkombëtare, që e bën të pamundur mposhtjen e tyre vetëm me anë të forcës ushtarake. Ai dhe ekspertë të tjerë thonë se kërcënimi i terrorizmit islamik mund të kontrollohet vetëm duke eliminuar kushtet që e bëjnë atë aktiv.// lk //

XS
SM
MD
LG