Lidhje

Islami në Amerikë - 2004-12-09


Ndërmjet myslimanëve amerikanë ekziston një përçarje gjithnjë në rritje në lidhje me natyrën e fesë së tyre. Një grup që e quan veten progresist, po sfidon ata që janë për një zbatim më të rreptë të islamit, në aspekte që mund të ndikojnë thellësisht në të ardhmen e këtij besimi.

Një grup të rinjsh myslimanë fanatikë dhe të ngarkuar emocionalisht e bënë të ndjehej keq drejtuesin shpirtëror të një xhamie, Haitham Bundakji. Ndryshe nga besimtarët e tjerë, ata e kritikuan atë se vesh rroba të stilit perëndimor, se nuk mban mjekër dhe se ka kontakte me bashkësinë hebraike në Garden Grove të Kalifornisë. Kështu që nuk ishte e papritur, shkruan gazeta Washington Post, kur nga ky grup doli një terrorist islamik që tani kërkohet nga FBI-a.

Ky është ai lloj islami që nuk pranohet nga Ahmed Nassef, Drejtor Ekzekutiv i Unionit Progresiv Mysliman të Amerikës së Veriut. Ai thotë se islami është një fe e hapur, në kërkim të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirëse. Megjithatë, shumë nga përfaqësuesit e këtij besimi, fjala e të cilëve amplifikohet nga mjetet e shtypit, janë të ngurtë dhe striktë. ”Tek myslimanët patjetër që ekziston elementi ultra-konservator që konsideron njerëz si unë, sikur duam të ndryshojmë besimin, gjë që aspak nuk është e vërtetë. Ne në fakt përpiqemi të kthehemi tek vizioni ynë mbi thelbin e islamit që është një lloj vizioni egalitar dhe gjithëpërfshirës”.

Zoti Nassef thotë se kjo pikpamje e gjerë për islamin përqafohet në një masë të madhe edhe nga mylimanët e tjerë. Imigrantët e rinj kanë prirjen të jenë më të lidhur me traditën, kurse fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre reflektojnë një mjedis amerikan. ”Kjo do të thotë se ne kemi një numër të madh njerëzish që ndjehen tepër të qetë në lidhje me identitetin amerikan, po aq sa edhe me identitetin mysliman. Në shumë aspekte, institucionet tona myslimane në Amerikë kanë mbetur prapa. Ato vazhdojnë të mbizotërohen nga çështjet e politikës së jashtme, nga njerëz që sapo kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe që kanë ndër mend të kthehen në vendin e tyre”.

Ky qendrim i ngushtë ka prirjen të largojë shumë myslimanë, thotë zoti Nassef. Nga të 5 milionë myslimanët e Amerikës, vetëm 10 për qind kanë ndonjë lidhje me xhami apo institucione myslimane. ”Kështu që shumica ndjehen të pakënaqur, pa të drejtën për të dhënë opinionin e tyre, jo të mirëpritur në shumë prej institucioneve ekzistuese myslimane. Kështu që ne e kemi ndjerë se është koha që ky segment, i heshtur deri tani, i bashkësisë myslimane të thotë fjalën e vet”.

Një zë i tillë konsiderohet faqja e interentit muslimwakeup.com ku diskutohen një gamë çështjesh që më parë konsideroheshin të paprekshme. Ndër to është rritja e rolit të gruas në shoqërinë islame. Nancy Sadiq, myslimane amerikano-egjiptiane e cila punon në qendrën mjekësore Cornell në New York tha për gazetën Jeruzalem Report se disa udhëheqës fetarë ngulin këmbë se vendi i gruas është në shtëpi, por thotë ajo, Kurani nuk thotë kështu. Ajo përmend gruan e Muhametit, Aishen: ”Në kohën e Profetit, shumë nga gratë që kanë ndjekur shembullin e Aishes, paqja qoftë mbi të, kanë qenë tepër progresiste në veprimet e tyre, kanë marrë pjesë në komunitet në kohë lufte, kanë punuar, kanë lindur fëmijë, kanë drejtuar lutjet dhe kanë qenë po aq të ditura në besimin e tyre sa edhe burrat”.

Nancy Sadiq është myslimane e devotshme e cila mban shami në kokë, nuk pi alkohol dhe respekton ligjin islamik. Ndonjëherë kjo ka shkaktuar situata të pakëndshme. Në metronë e New Yorkut, një grup vajzash një herë ia shkulën shallin nga koka dhe i shqyen këmishën me brisk teksa i shanin besimin.

Ahmed Nassef thotë se kritikët vijnë nga të dy anët: ”Ne marrin një numër të barabartë mesazhesh elektronike nga njerëz që na thonë se nuk jemi myslimanë të mirë dhe se nuk duhet ta quajmë më veten myslimanë dhe nga njerëz që na thonë se ju jeni myslimanë, se nuk keni të drejtë fjale dhe se duhet të largoheni nga vendi ynë apo gjëra të tilla”.

John Voll, drejtor i Qendrës për Mirëkuptimin Ndërmjet Myslimanëve dhe të Krishterëve në Universitetin Georgetown, thotë se amerikanët jo-myslimanë duhet të bëhen të vetëdijshëm për pasurinë dhe larminë që përmban islami. ”Në një këndvështrim më të gjerë historik, ne kemi hyrë në një periudhë ku kornizat e vjetra të islamit politik po shuhen. Deri kohët e fundit shumica e njerëzve, që konsideroheshin si veprimtarë islamikë, ishin gjithashtu për një zbatim të rreptë të sheriatit në shoqëri. Dhe ky lloj islami politik është përcjellur nga lart-poshtë, nga shteti tek shoqëria. Islamizimi i shoqërisë tani i përket së kaluarës, brezit të vjetër”.

Professor Voll thotë se myslimanët e tanishëm progresistë përfaqësojnë një alternativë të fuqishme ndaj ekstrmistëve radikalë që përmenden aq shumë në shtyp. Po zhvillohet një betejë për atë që disa e quajnë thelbi i islamit. ”Është tepër e rëndësishme për politikanët dhe pushtetarët të jenë të vetëdijshëm se kjo nuk është luftë ndërmjet civilizimeve të veçanta, ndërmjet islamit dhe perëndimit apo islamit dhe modernitetit. Është fjala për një konfontim brenda-për-brenda botës myslimane ndërmjet myslimanëve porgresistë, që, padiskutim, janë pjesë e botës moderne dhe ekstremistëve radikalë, që përfaqësohen nga grupe të tilla, si al-Qaida”.

Fakti se kush do ta fitojë këtë betejë, thotë profesor Voll, do të ketë rëndësi të madhe, si për vetë islamin, ashtu edhe për pjesën tjetër të botës.

XS
SM
MD
LG