Lidhje

Pazari në Internet - 2004-12-11


Në Shtetet e Bashkuara ka filluar sezoni i blerjeve për festa. Shumë dyqane i varin shpresat tek kjo periudhë blerjesh për të nxjerrë sa më shumë fitime. Por amerikanët nuk po shkojnë vetëm nëpër dyqane të blejnë dhurata. Një numër gjithnjë e më të madh ata po blejnë duke porositur përmes internetit. Dhe faqet e internetit po bëjnë maksimumin për të tërhequr konsumatorët.

Anketat e fundit tregojnë se një ndër pesë persona po i kryejnë në internet blerjet e sezonit të festave këtë vit. Faqet e internetit po bëjnë oferta joshëse, për t’i nxitur konsumatorët dhe për t’i larguar ata nga dyqanet e zhurmshme. Suzanne Davidson është një nga konsumatorët që blejnë në internet. “Unë mund ta kem një dyqan fare pranë shtëpisë dhe prapë vendos të blej në internet, sepse ata bëjnë oferta me përfitim”.

Tradicionalisht, fundjava pas festës së falenderimeve është konsideruar si periudha me numrin më të madh të shitjeve në internet. Këto shitje u rritën këtë vit 100 për qind ditën e Falenderimeve. Shitjet në ditën pas kësaj feste u rritën 41 për qind. Analistët thonë se rritja është bërë pjesërisht falë përmirësimit të aftësive të njerëzve për të përmirësuar internetin dhe rritjes së numrit të atyre që kanë instaluar lidhje të shpejtë të internetit në shtëpi.

Disa blerësve si Kelly McWhite u pëlqejnë artikujt e këndshëm dhe dhuratat që ofrojnë faqet e internetit. “Është shumë e leverdisshme në internet. Unë shkoj tek Yahoo, në seksionin e blerjeve, ata kanë ide të larmishme dhe shumë nga tregëtarët ofrojnë transport falas”.

Disa njerëz të tjerë po kombinojnë blerjen në internet me atë në qendra tregëtare. Ata përdorin internetin për të gjetur artikujt me mallrat me çmime më të mira në dyqane.

Sarah Leary, është nënpresidente e faqes së internetit Shopping.com që ofron krahasimin e mallrave dhe çmimeve.

“Ne kemi vënë re që njerëzit futen në internet duke kërkuar artikullin më të mirë dhe duan ta gjejnë në dyqanin më të mirë dhe kjo prirje po i jep një shtysë rritjes së faqeve të internetit që krahasojnë dyqanet e ndryshme”.

Këto faqe u japin mundësi konsumatorëve që të krahasojnë çmimet për një produkt të caktuar nga tregëtarë të ndryshëm, të gjitha vetëm duke shtypur një buton.

Tregëtarët që shesin mallrat e tyre në internet thonë se duan t’i bëjnë njerëzit t’i ndryshojnë zakonet e tyre dhe të blejnë në internet gjithë vitin. Ata gjithashtu shpresojnë që ta kapërcejnë shifrën prej 18,5 miliardë dollarësh gjatë sezonit të kaluar të festave.

XS
SM
MD
LG