Lidhje

Rrënjët e terrorizmit - 2004-12-11


Gjatë dekadës së fundit, analistë dhe zyrtarë qeveritarë kanë qenë të të njëjtit mendim, se kërcënimi që paraqet terrorizmi islamik është rritur. Por a luan feja islame rol në rekrutimin e terroristëve? Apo është varfëria një nga kushtet më të rëndësishme që përcakton këtë çështje?

Studjuesit në botën islamike dhe në Perëndim kanë debatuar për një kohë të gjatë lidhur me shkaqet rrënjësore të terrorizmit. Shumë prej tyre thonë se shkaqet e terrorizmit janë varfëria, të ardhurat minimale dhe mungesa e shpresës për të ardhmen. Por shumica e terroristëve që kanë lidhje me Al-Kaidën vijnë nga klasa e mesme dhe janë me arsim universitar, siç është edhe Osama Bin Ladeni, një multimilioner saudit, me profesion inxhinier.

Benjamin Barber, ekspert për demokracinë në Universitetin e Marylandit, thotë se do të ketë kurdoherë grupe të vogla fanatikësh, të cilët dëshirojnë të kryejnë veprime terroriste. Problemi më i madh, thotë eksperti, është se në kushtet e zhvillimit të sotëm botëror, veprimet terroriste shpesh përshëndeten nga njerëz që ai i quan “terroristë të heshtur”.

“Vetë terroristët, si të gjithë udhëheqësit e tjerë, janë të pasur, të arsimuar mirë dhe të privilegjuar, por njerëzit që ata përfaqësojnë dhe ata që i lejojnë të flasin në emër të tyre, janë ata që jetojnë në kushtet e varfërisë, të izoluar e të pafuqishëm, dhe për më tepër, që poshtërohen nga pjesa tjetër e botës ku ata jetojnë”.

Anketimet e kryera në Lindjen e Mesme tregojnë se Osama Bin Ladeni shpeshherë është më popullor se udhëheqësit e shteteve. Zoti Barber thotë se kjo ndodh për arsye se një numër i madh myslimanësh e konsiderojnë Bin Ladenin si hero, ai vazhdon të jetë i lirë edhe tre vjet pas sulmeve të 11 shtatorit.

“Në se ai do të kishte qenë një njeri i vetmuar, ai do të ishte gjetur kohë më parë, do të ishte kapur dhe do të ishte nxjerrë para drejtësisë. Por fakti është se ai jeton në ato që mund t’i quanim fshatra të sigurta, provinca të sigurta, apo vende të sigurta”.

Një vend i sigurtë për Bin Ladenin mund të thuhet se është Pakistani, ku mendohet se ai fshihet. Pakistani është një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Por ai është në të njëjtën kohë një vend që karakterizohet nga varfëria dhe ka një numër shkollash islamike, apo medresesh, të cilat predikojnë urrejtjen për Shtetet e Bashkuara.

Djem myslimanë në këtë shkollë recitojnë Kuranin dhe atyre u mësohet ideologjia ektremiste e Wahabi Isamit. Në vitin 2002, Pakistani filloi një sulm ndaj medresevë të rrymës së ashpër, që mendoheshin se përgatisnin terroristë islamikë.

Por në një farë mënyre, është një përpjekje e kotë të vesh në shënjestër shkollat islamike, pa evidentuar kushtet social-ekonomike. Omer Taspinar është studjues i islamizimit në Institutin Studimor Brookings në Washington.

“Një njeri që shkon në një medrese të Pakistanit, mund të mësojë një interpretim shumë më të ngushtë, me ngjyra konfrontuese dhe radikale ndaj islamizmit. Kjo është arsyeja që arsimimi është një faktor kyç dhe me ndikim të madh. Njerëzit që pasurohen, ata që kanë një punë, që kanë shpresë, zakonisht nuk e interpretojnë në mënyrë kaq radikale islamizmin”.

Disa myslimanë të moderuar thonë se radikalët islamikë e kanë shpërdoruar mesazhin e islamizmit, mësimet e të cilit, sipas zotit Taspinar, nuk kanë të bëjnë me revolucionin dhe terrorizmin.

“Mesazhi i islamizmit, sipas mendimit tim, është myslimanizmi i përparuar që vjen nga Turqia, që mbështet unitetin, dashurinë për njerëzit, që përpiqet të zbulojë mesazhin e fundit që i vjen njerëzimit nga Zoti, që thotë se të gjithë jemi vëllezër, dhe se të gjitha fetë e tjera monoteiste si ajo hebraike dhe e krishterë, predikohen nga njerëz të ditur, prandaj ne duhet të gjejmë mënyra bashkëjetese”.

Zoti Taspinar thotë se rritja e përmasave të terrorizmit ka të bëjë më pak me islamizmin se sa me qeverisjen shtypëse. Ai thotë se mungesat social-ekonomike i bëjnë një numër të madh myslimanësh të rinj të ndikohen nga ideologji ektremiste. Dhe në mungesë të demokracisë në Lindjen e Mesme, qytetarë të pakënaqur mund ta kundërshtojnë diktaturën vetëm duke u organizuar në xhamitë e tyre.

Zoti Taspinar e quan këtë rrymë “Islamizimi për shkak të disidencës politike”.

“Kur në Lindjen e Mesme ka regjime diktatoriale, apo diktatura autoritare, xhamia bëhet i vetmi institucion ku njerëzit mund të grumbullohen, dhe ku mund të shprehin pikëpamjet e tyre opozitare dhe mospajtimin me politikën e qeverisë”.

Analistët politikë mund të mos jenë të të njejtit mendim lidhur me shkaqet e terrorizmit. Por shumica thonë se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol kyç në përcaktimin në se terrorizmi lulëzon, apo dështon. Bruce Hofman është ekspert i terrorizmit në Institutin Studimor, Rand të Washingtonit.

"Deri në momentin kur ne të kemi një strategji, e cila të ketë synime afatgjata, si dhe synime taktike, afatshkurtëra, ne do të jemi tepër të sukseshëm në pakësimin e kërcënimit terrorist sot; dhe deri në momentin kur të përqafojmë këtë dimension strategjik, ne do të gjendemi të ngecur në një luftë, e cila mund të vazhdojë për breza me me radhë."

XS
SM
MD
LG