Lidhje

SHBA: Nafta rrezikon pasuritë natyrore - 2004-12-12


Nga pjesa veriore e Shteteve të Bashkuara në territorin kanadez, përgjatë kurrizit të Maleve Rocky, ndodhet një varg rezervatesh dhe parqesh të botës së gjallë, që shkon nga Yellowstone i shtetit Wyoming në Yukon në veriun e largët kanadez. Yellowstone - parku i parë kombëtar amerikan - është krijuar para më shumë se 130 vjetësh.

Që atëherë, një seri parqesh janë ngritur duke krijuar kështu një varg prej gati 8 mijë kilometrash që mbërrin në Rezervatin Kombëtar Arktik të Botës së Gjallë. Kjo zonë që është tani në shenjestër të kompanive të naftës.

Në disa vende nuk ekziston më ajo botë e gjallë si dikur. Pjesa më e madhe është shfarosur dhe pjesa e mbetur është shtrënguar të jetojë në zona të ngushta për shkak të mbizhvillimit. E njëjta mund të ndodhë në Amerikën Veriore. Biologu Nick Baker dëshiron të shqyrtojë një plan që synon mbrojtjen e sisorëve të mëdhenj të Amerikës Veriore. Ai po përgatitet për një udhëtim 8 mijë kilometrash që do ta fillojë nga Oqeani Arktik.

“Ne do të udhëtojmë nga Inuvik-u deri poshtë në Yellowstone. Kjo do të përfshijë një zonë natyrale që është quajtur ”Nga Yellowstone në Yukon”, thotë ai.

Problemi është se kafshët, kur largohen nga parqet dhe rezervatet, mund të rrezikohen duke hyrë në zona të banuara apo industriale.

Duke parë Yukon-in, mund të imagjinohet se si kufiri perëndimor i Shteteve të Bashkuara dukej para 200 vjetësh, pikërisht si ky peisazh dhe kjo bukuri e virgjërt.

Këtu jeton një nga kopetë më të mëdha të botës. Për mijëra vjet, tufat e drerëve shtegtojnë përmes kësaj toke. Por pikërisht vendi ku ata lindin të vegjëlit e tyre, rrezikohet nga kompanitë e naftës.

Një plan i quajtur ”Nga Yellowstone në Yukon” nuk është hartuar të pengojë industri të tilla, por të krijojë mundësi që bota e gjallë të lëvizë përmes sipërfaqeve private. Wane Sawchuk ka lindur dhe është rritur në këtë zonë.

“Ky është një korridor i rëndësishëm, sepse drerët, për shembull, kalojnë këtej nga veriu në jug. Këtej do të gjesh arinj të murmë, ujqër, shumë lloje dythundrakësh të egër, ujqër etj.”

Kjo zonë në Kolumbinë Britanike ushqen morinë e madhe të gjitarëve të mëdhenj në Amerikën e Veriut, përfshirë edhe rreth 2 mijë arinj të murmë dhe rreth 1 mijë ujqër.

“Ka shumë kompani që do të dëshironin të ndërtonin rrugë për shumë arësye, si për minierash, naftë a gaz, lëndë drunore e madje edhe për hidrocentrale”.

Banff National Park është parku i parë kombëtar i Kanadasë. Ai shtrihet në zemër të zonës ”Yellowstone - Yukon”, por është i populluar me kafshë të mëdha mishngrënëse që përbëjnë rrezik për njeriun; ... ose anasjelltas.

“Parku Banff ku po shkojmë, është një nga pikat më të rëndësishme të konflitkit ndërmjet botës së gjallë dhe ekzistencës së njeriut në këtë zonë”.

“Kur sillen 5 milionë njerëz në një zonë prej pak hektarësh katrorë, kuptohet që pasojat janë të konsiderueshme. Por në të njëjtën kohë, kjo zonë është mjedisi ku praktikisht jetojnë shumë specie të botës së gjallë. Si mund të lëvizë një dre, një ujk apo një ari nga pjesa perëndimore e luginës në atë lindore?”

Kjo është pikërisht arsyeja e nevojës së projektit ”Nga Yellostone në Yukon”.

Në Parkun Kombëtar Yellowstone - skaji jugor i korridorit - jeton një larmi e madhe kafshësh. Në të gjenden dy të tretat e numrit të burimeve termale në botë.

“Kiotat e dinë se ku ndodhet ushqimi në këtë zonë. Këtu sillen lirisht gjithashtu gati 1 mijë bizonë”.

“Mendoj se plani do të jetë jetik për hir të objektivit të tij: lidhja e zonave ku jetojnë kafshët para se të jetë vonë”.

Eleminimi i zhvillimit dhe i industrisë nuk është zgjidhje. Nisma për ruajtjen e botës së gjallë ndërmjet Yellowstone dhe Yukon është plan ambicioz, por që duhet të realizohet me sukses, përndryshe Amerika e Veriut mund të humbë një ditë zonat më magjepëse, siç ka ndodhur me shumë të tilla në botë.

Korridori mund të realizohet vetëm po të arrihet bashkëpunimi ndërmjet pylltarëve dhe natyralistëve, shkencëtarëve dhe gjyetarëve, si dhe ndërmjet mbrojtësve të jetës së gjallë e industrialistëve. Do të duhet një përpjekje tepër e madhe për të lidhur përsëri vendet më të rëndësishme të botës së gjallë në kontinetin amerikano-verior që të arrihet ruajtja e kësaj bote për brezat e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG