Lidhje

Ylber Hysa: Koncepti qeverisës dhe gjendja në Kosovë, sfidat kryesore të koalicionit në pushtet    - 2004-12-12


Një nga figurat drejtuese të lëvizjes Ora të opozitës në Kosovë, Ylber Hysa thotë se qeveria e re atje do të përballet me sfida të vështira që kanë të bëjnë si me rrethanat në të cilat gjendet Kosova, ashtu edhe me konceptin e qeverisjes. Zoti Hysa tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës këtu në Washington se mosnjohja nga Beogradi e qeverisë së re të kryeministrit Haradinaj, është një justifikim për të mos marrë pjesë në dialog, por nga ana tjetër tha se kjo nuk është çështje që ka të bëjë me Beogradin. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Hysa tha se përsa u takon përpjekjeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, nuk duket se ka një plan dhe strategji të përcaktuar për vitin 2005.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë sfidat e koalicionit me Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe a mendoni se do të funksionojë ky koalicion?

Ylber Hysa: Sfidat do të jenë të shumta, madje ato do të jenë të një niveli të tillë, të cilat i bëjnë këto sfida që të jenë më të rënda se zakonisht edhe për shkak të rrethanave në të cilave është krijuar ky koalicion dhe për shkak të problemeve të brendshme që mund të ndodhin nga vetë koncepti qeverisës apo nga vetë dikasteret e ndryshme të cilat i kanë pjesëtarë të ndryshëm të një apo partie tjetër, të cilët do të duhej të ballafaqoheshin me sfida shumë reale siç janë reformimi i administratës, marrja e kompetencave dhe zotësia për të treguar një qeverisje të mirë. Marr parasysh edhe të kaluarën e disa prej këtyre njerëzve në këtë përbërje, por edhe problemet edhe nivelin e tyre, gjithsesi këto sfida do të jenë më shumë se të rënda.

Zëri i Amerikës: Qeveria e Beogradit nuk e ka njohur qeverinë e re të Kosovës. A mendoni se kjo do të sjellë probleme në të ardhmen për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit?

Ylber Hysa: Gjithsesi mund të sjellë probleme, por kjo nga ana tjetër tregon edhe një mosgadishmëri të Beogradit i cili po e ndjen veten mirë në këtë situatë për të arsyetuar një qëndrim politik dhe për të arsyetuar edhe një lloj mosuniteti i cili ka ekzituar edhe më parë në Beograd edhe karshi çështjeve siç është edhe pjesëmarrja e serbëve kosovarë në zgjedhje apo jo. Kjo për ta është një mënyrë për ta bllokuar një dialog të tillë. Në këtë mënyrë tregohet në fakt që Beogradi është ai i cili nuk është në gjendje të bëjë një bisedim serioz për Kosovën dhe tek e fundit është edhe një çështje tjetër që duhet të lidhet me këtë aspekt: pse Beogradi do duhej të lidhej drejtpërdrejt me çështjen e statusit final. Çështja e dialogut dhe statusit final të Kosovës, besoj se duhet ndarë dhe Beogradi gjithsesi mund të luajë një rol që të përmirësojë gjendjen në Kosovë duke inkurajuar serbët kosovarë që të marrin pjesë në institucione dhe që ata të përpiqen që mes kësaj forme politike të realizojnë interesat e tyre legjitime.

Zëri i Amerikës: Gjykata e Hagës mendohet se mund të ngrejë akuza ndaj zotit Haradinaj. Si do ta prekte kjo procesin politik në Kosovë?

Ylber Hysa: Por pasojat gjithsesi do të ishin aty, ndonëse unë do të kisha hezituar që të paragjykoj çdo vendim të Hagës dhe do të kisha dashur që të mos kishte një presion median të tillë edhe ndaj kryeministrit kosovar, ndonëse të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për një realitet dhe besoj se edhe vetë kryeministri ka qenë i vetëdijshëm kur e ka pranuar një rol. Ajo që unë konsideroj se duhet të bëhet është që gjithë faktorët përfshirë qeverinë dhe opozitën, në një situatë të tillë do duhej të silleshin brenda një kornize politike për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave vetëm me mjete dhe manifestime politike.

Zëri i Amerikës: Lëvizja juaj Ora është në opozitë. A e shikoni pak si pozitë delikate: opozita duhet të ndërtojë një barazpeshë për qeverinë, por ndërkohë këtë vit do të bëhen bisedimet për statusin përfundimtar dhe gjendja në Kosovë si nga ana politike, ashtu edhe në aspektet e tjera duhet e të jetë e pranueshme që të mbahen këto bisedime. A mendoni se është disi një gjendje delikate për opozitën në këto kushte në Kosovë?

Ylber Hysa: Për ne kjo pozitë delikate ka qenë që nga fillimi. Ne na është dashur të balancojmë mes asaj çka është më mirë për subjektin tonë politik dhe çka është më mirë për Kosovën, për faktin që në rrethana normale për opozitën do të ishte shumë komode që thjesht të gjuante gabimet e kësaj qeverie e cila gjithsesi nuk është më e mira. Por fakti që gjendemi në një periudhë aq të rëndësishme për vendin na bën që të jemi edhe më të përgjegjshëm në punën tonë dhe konsideroj që Ora tashmë konsideroj që ka arritur të krijojnë një balancë tashmë dhe ka arritur të imponohet me një qëndrim më realist, i cili i duhet Kosovës dhe institucioneve të saj.

Zëri i Amerikës: Si analist politik, cilat janë parashikimet tuaja për vitin 2005. A mendoni se ekzistojnë kushtet që t’i bëhet nxitje komunitetit ndërkombëtar për statusin përfundimtar të Kosovës?

Ylber Hysa: Konsideroj që nuk ekziston një plan dhe një strategji e definuar për vitin 2005, ndonëse po shoh edhe këtu nga Washingtoni disa lajme që publikohen në rajon, përfshi edhe në Kosovë dhe në Serbi, kinse për disa plane me 8 pika që ekzistojnë qoftë nga Instituti amerikan i Paqes, apo qendra të tjera. Mesa di unë këtu nuk ekziston një plan, këtu ekzistojnë shqetësime se çfarë mund të ndodhë, sikurse ka ekzistuar edhe një shpresë, që gjërat ndoshta mund të lëvizin në mënyrë që të shtyhet përpara një proces i definimit të një strategjie dalëse e cila nga Washingtoni është balancuar edhe nga prioritete të tjera që i ka ky kryeqytet më i rëndësishëm botëror. Andaj konsideroj që shumëçka do të varet nga rrethanat, nga faktori politik kosovar, por jo vetëm nga ai.

XS
SM
MD
LG