Lidhje

Policia shqiptare dhe malazeze arrestojnë katër trafikantë armësh - 2004-12-13


Policia shqiptare në bashkëpunim me policinë e Malit te Zi goditën një rrjet trafiku ndërkombëtar të armëve, duke arrestuar 4 pjestarë të këtij rrjeti, Sokol Mujaj, Ilmi Isufi, Armir Troshani dhe Mentor Canin, të gjithë banorë të qytetit të Shkodrës. Policia shqiptare sekuestroi nga trafikantët 3 raketa tokë – ajër të tipit STELA 2 M, të cilat do të trafikoheshin jashtë Shqipërisë. Operacioni i policisë u krye vetëm një ditë përpara hapjes së Konferencës Rajonale “Lufta Kundër Trafikimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta në Vendet e Evropës Juglindore” në Tiranë.

Operacioni i sotëm kundër trafikut të armëve është realizuar me bashkëpunimin e policisë shqiptare dhe policisë së Malit të Zi. I cilësuar si mjaft i suksesshëm, operacioni i sotëm u krye vetëm një ditë përpara hapjes në Tiranë të Konferencës rajonale “Lufta kundër trafikut të armëve të vogla dhe të lehta në vendet e Europës Juglindore”, ku pritet të marrin pjesë drejtues të lartë të policive të vendeve të Rajonit.

Policia shqiptare dhe ajo e Malit te Zi kishin identifikuar që më parë një rrjet trafiku ndërkombëtar të armëve që vepronte në territoret e të dy vendeve. Prandaj, operacioni i sotëm synonte arrestimin në flagrancë të trafikantëve dhe shkatërrimin e rrjetit të tyre kriminal. Operacioni policor u krye përgjatë aksit të rrugës automobilistike që lidh pikëkalimin kufitar të Hanit të Hotit, në kufirin me Malin e Zi, me pjesën qendrore të Shqipërisë. Gjatë këtij operacioni, policia zbuloi tre raketa të tipit tokë-ajër, të cilat po trafikoheshin nga ky rrjet trafikantësh. Raketat janë të markës STELA 2 M dhe kanë hyrë në territorin e Shqipërisë përmes kufirit të Malit të Zi.

Në njoftimin e saj zyrtar, policia shqiptare bën të ditur se raketat vinin nga Mali i Zi dhe do të trafikoheshin jashtë kufijve të Shqipërisë. Por në njoftimin e saj policia nuk sqaron se për në cilin vend të rajonin do të trafikoheshin raketat. Përveç sekuestrimit të tre raketave tokë-ajër, policia ka arrestuar në flagrancë edhe katër pjestarët e këtij rrjeti të trafikut të armëve, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet për zbulimin e përsonave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Gjithashtu, janë sekuestruar nga policia edhe dy automjetet e përdorura nga trafikantët.

Katër të arrestuarit e sotëm, janë banorë të qytetit të Shkodrës, për të cilët policia ka hedhur dyshime se kanë kryer edhe më parë trafikimin e armëve përmes kufirit me Malin e Zi. Policia publikoi sot edhe emrat e trafikantëve të arrestuar, në përpjekje për të siguruar bashkëpunimin e qytetarëve për zbulimin e mëtejshëm të veprimtarisë së tyre kriminale. Ndërkohë, hetimet po kryhen në bashkëpunim me prokurorinë e krimeve të rënda.

Që nga fillimi i këtij viti, ky është rasti i tretë që policia shqiptare zbulon trafik të armëve dhe municioneve të kryer përmes kufirit me Malin e Zi. Deri tani janë arrestuar 9 persona dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim për trafik armësh nga kjo pjesë e vendit. //bsa//

XS
SM
MD
LG