Lidhje

Bursat Fulbright - 2004-12-15


Programi Fulbright u jep amerikanëve shansin të studiojnë, të japin mësim dhe të bëjnë kërkime në vende të tjera. Po kështu ky program u jep mundësinë edhe studentëve dhe pedagogëve nga vendet e tjera të vijnë në Shtetet e Bashkuara për të njëjtin qellim.

Ata që përfshihen në këtë program quhen studentë me bursa Fulbright dhe marrin para të mjaftueshme për udhëtime, arsimim dhe jetesë. Programi financohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, qeveritë e vendeve të tjera dhe organizata private.

Programi Fulbright është krijuar në vitin 1946 sipas projektligjit të propozuar nga Senatori William Fulbright, i cili e shihte këtë si një mënyrë efikase për të rritur mirëkuptimin ndërmjet vendeve të ndryshme. Ai besonte gjithashtu se programi mund të pajiste me dije udhëheqësit e ardhshëm të botës.

Senator Fulbright mendonte se të jetosh e mësosh në një vend tjetër ndihmon që njerëzit të kuptojnë ide të tjera dhe mënyra të tjera jetese. Ai mendonte se kjo lloj përvoje i ndihmonte njerëzit të kuptonin më mirë edhe vendin e tyre.

Më shumë se 200 mijë studentë, mësues dhe studiues kanë marrë pjesë deri më sot në Programin Fulbright. Ndërmjet tyre ka qenë edhe Boutrus Boutrus Ghali, i cili u bë sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Gati 5 mijë grante Fulbright jepen çdo vit për studentë, pedagogë e profesionistë amerikanë e të huaj. Në lidhje me këtë program mund të mësohet më hollësisht nga Zyra e Çështjeve Arsimore dhe Kulturore në Departamentin e Shtetit. Edhe në njërën nga faqet elektronike të Zërit të Amerikës në voaspecialenglish.com ekziston një link për programin Fulbright ose mund të kërkohet gjithashtu në internet me termin Fulbright Program.

Një program i tjetër quhet Fulbright Teacher and Administrator Exchange - Programi Fulbright për Shkëmbim Mësuesish dhe Administratorësh. Ky program bën të mundur që një mësues amerikan dhe një koleg i tij nga një vend tjetër të këmbejnë vendet, zakonisht për një vit shkollor. Më shumë se 20 mijë mësues dhe administratorë janë përfshirë në këtë program që nga viti 1946.

Lista e vendeve të përfshira në program ndryshon nga viti në vit. Faqja e interentit për Programin Fulbright për Shkëmbim Mësuesish dhe Administratorësh është fulbrightexchanges.org.

XS
SM
MD
LG