Lidhje

Presidenti Bush nënshkruan ligjin për ndryshime në agjencitë e zbulimit - 2004-12-17


Presidenti Bush nënshkroi sot ligjin për ndryshime rrënjësore në agjencitë amerikane të zbulimit. Ligji parashikon edhe krijimin e një pozite të re, atë të Drejtorit Kombëtar të Zbulimit. Ndryshimet pasojnë rekomandimet e komisionit hetimor të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Presidenti tha se ligji pasqyron reformën më të thellë të agjencive të zbulimit në 50 vjetët e fundit.

“Me ligjin e ri, operacionet e zbulimit do të bashkërendohen më mirë dhe do të jenë më të efektshme. Reformat do të na krijojnë mundësi ta bëjmë më mirë punën tonë për mbrojtjen e popullit amerikan.”

Ligji i ri i quajtur Akti për Reformimin e Zbulimit dhe Parandalimin e Terrorizmit, krijon një drejtor të vetëm kombëtar për zbulimin, që do të raportojë drejtëpërdrejtë tek Presidenti dhe do të jetë më i lartë në rang nga drejtori i CIA-s.

Presidenti Bush tha se zyra e Drejtorit të ri Kombëtar për Zbulimin do të bashkërendojë më mirë përpjekjet e zbulimit, duke i bërë ato më të efektshme.

“Drejtori i ri do të udhëheqë një komunitet të bashkuar zbulimi dhe do të shërbejë si këshilltari kryesor i presidentit për çështjet e zbulimit. Ai do të ketë autoritetet të kërkojë grumbullimin e informacioneve të reja, të marrë masa që informacioni i siguruar nga një agjenci u shkon edhe agjencive të tjera dhe të krijojë standarte të unifikuara për personelin e zbulimit.”

Pasi të emërohet nga Presidenti dhe të konfirmrohet nga Senati, drejtori i ri do të kontrollojë buxhetin e operacioneve të zbulimit, përfshirë edhe fondet që tani kontrollohen nga Departamenti i Mbrojtjes.

Disa ligjvenës në Kongres që mbështesin Pentagonin janë shprehur kundër disa prej ndryshimeve duke thpnpë se posti i ri krijon një shtresë tjetër burokratike dhe mund të ngadalësojë kalimin e informacionit të zbulimit tek komandantët ushtarakë që ndodhen në terren.

Presidenti Bush tha se ushtarakët do të vazhdojnë të kenë në dispozicion me shpejtësi informacionin që u duhet në fushën e luftimit.

Ai tha se ligji i ri, ruan zinxhirin e tanishëm të komandës dhe i le operacionet e zbulimit brenda departamenteve siç janë tani. CIA do të vazhdojë të jetë përgjegjëse për detyrërn e saj kryesore atë të grumbullimit të informacionit nga burime njerëzore dhe analizimit të gjithë informacionit sipas udhëzimeve të presidentit.

Një pjesë e mirë e ligjit të ri bazohet në punën e komision dy-partiak që hetoi mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington. Presidenti tha se një nga mësimet e nxjerra nga këto sulme është se zyrtarët amerikanë të organeve të rendit dhe të zbulimit duhet të përmirësojnë sistmein e shkëmbimit të informacionit.

“Shumë prej reformave të përmban ligji i ri kanë një qëllim të vetëm: të sigurojnë që personat përgjegjës në qeveri për të mbrojtur amerikanët kanë në duart e tyre informacionin më të mirë të mundshëm për të marrë vendimet më të mira të mundshme.”

Presidenti Bush e nënshkroi ligjin e ri në të njejtën sallë ku është ratifikuar traktati i krijimit të NATO-s pas Luftës së Dytë Botërore. Ai bëri pastaj një paralelizëm midis Presidentit të atëhershëm Harry Truman i cili krijoi Departamentin e Mbrojtjes, CIA-n dhe Këshillin Kombnëtar të Sigurimit në fillim të luftës së ftohtë.

XS
SM
MD
LG