Lidhje

Grupet e armatosura shqiptare tërhiqen nga fshati Kondovë - 2004-12-17


Grupet e armatosura shqiptare janë tërhequr mbëmë nga fshati Kondovë në afërsi të Shkupit, pas arritjes së një marrëveshjeje me përfaqësuesit e dy partive kryesore politike shqiptare në Maqedoni.

Kjo u bë e ditur nga dy udhëheqësit politikë shqiptarë në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe Arbër Xhaferi, të cilët thanë se i kanë bindur sonte grupet e armatosura që t'i lënë armët dhe problemet e tyre t'i zgjidhin me mjete politike paqësore.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe ai i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferi njoftuan se kanë arritur marrëveshje për çarmatosjen dhe tërheqjen e grupeve të armatosura shqiptare nga fshati Kondovë në afërsi të Shkupit.

Ata njoftuan se këto, grupe qysh sonte kanë braktisur armët dhe se janë pajtuar që problemet e tyre të zgjidhen nëpërmjet rrugëve politike.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Arbër Xhaferi theksoi se subjekti politik shqiptar u tregua i bashkuar për shuarjen e zjarrit dhe zgjidhjen e krizës në Kondovë.

“Ne manifestuam një seriozitet të madh të subjektit politik shqiptarë për të treguar se kontrollojmë veten, proceset politike që zhvillohen në Maqedoni dhe kemi arritur sukses për shuarjen e zjarrit në Kondovë. Ky zjarrë tash për tash është shuar dhe Kondova është pjesë e këtij shteti”, theksoi Xhaferi.

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim i tha “Zërit të Amerikës” se personat e armatosur që janë banorë të Kondovës dhe të vendbanimeve të tjera të Maqedonisë do t'i kthehen jetës së tyre normale, ndërkaq për pjestarët e armatosur nga Kosova dhe Lugina e Preshevës është siguruar korridor për tërheqjen e tyre në Kosovë.

Sipas tij, armët e dorëzuara do të grumbullohen në këtë fshat nga ana e policisë maqedonase dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë të OSBE dhe misionit policor evropian, Proksima.

Grupe e armatosura të pranishme gati se një muaj në fshatin Kondovë kërkuan miratimin e një ligji për amnisti dhe rregullimin e të drejtave të familjeve të dëshmorëve të ish-UÇK-së.

Përfaqësuesit e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim që janë pjesë e qeverisë së re të vendit thanë se do të angazhohen për plotësimin e këtyre kërkesave.

XS
SM
MD
LG