Lidhje

Partitë kryesore izraelite arrijnë marrëveshje për koalicion  - 2004-12-18


Partia Likud e kryeministrit izraelit, Ariel Sharon dhe partia Laburiste e opozitës kanë rënë dakord të formojnë një qeveri të bashkimit kombëtar, hap ky që pritet të sigurojë mbështetjen për planin e tërheqjes nga Rripi i Gazës.

Anëtarë të partisë Likud dhe asaj Laburiste thonë se hollësitë përfundimtare do të përpunohen sot. Ata bënë të ditur se marrëveshja parashikon që Partisë Laburiste t’i jepen 8 poste ministrore dhe udhëheqësi i saj, Shimon Peres, të emrohet në postin e zëvendës-kryeministrit.

Ky njoftim u bë ndërkohë që forcat ushtarake izraelite ndërmorën sulme të reja në Rripin e Gazës.

Zyrtarë izraelitë thanë se një sulm me raketa kishte në shënjestër një ndërtesë në Qytetin Gaza, e cila përdorej nga ekstremistët për prodhimin e armëve.

Ata thanë se një sulm i mëparshëm kundër kampit të refugjatëve Khan Junis u krye në përgjigje të sulmeve të kohëve të fundit me mortaja kundër vendbanimeve hebraike. 8 palestinezë u vranë në sulmin izraelit.

XS
SM
MD
LG