Lidhje

Transporti publik në botën e kërcënuar nga trafiku - 2004-12-18


Aktualisht zonat urbane të botës janë katër herë më shumë të populluara se në vitin 1950. Trafiku është shumë i ngarkuar pothuajse në çdo zonë kryesore metropolitane. Në Bangkok, kryeqyteti i Tailandës, trafiku mbetet i bllokuar për orë të tëra, ndërsa ekonomia humb rreth 6 për qind të prodhimit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brent Hurd njofton se shumë qeveri po përpiqen të nxisin sisteme tranziti për të luftuar bllokime të tilla:

Zhurma e transportit publik po përhapet kudo në botë.

Trenat urbanë kanë hyrë në përdorim edhe në zonat e gjera të pjesës perëndimore të Shteteve të Bashkuara, si Dallas, një qytet i Teksasit i njohur për manjatë të naftës dhe makina të mëdha.

“Në Teksas ne nuk jemi mësuar me që ta përshkojmë qytetin me tren. Por kohët e fundit edhe Dallasi, edhe Houston kanë filluar të përdorin sistemet e hekurudhave të lehta dhe kanë qenë të suksesshme në të dyja qytetet”, thotë Brewster McCracken, një anëtar i këshillit të qytetit në kryeqytetin e Teksasit, Austin.

Banorët e këtij qyteti votuan kohët e fundit për një tren publik të ri, të ngjashëm me ato në Dallas dhe Houston.

Ajo që po ndodh në Teksas pasqyron një prirje në rritje kudo në Shtetet e Bashkuaram, thotë William Millar, President i Shoqatës Amerikane të Transportit Publik.

“Vitet e fundit, transporti publik në Amerikë ka kaluar një periudhë rilindjeje”.

Votuesit në Shtetet e Bashkuara po përkrahin sisteme të transportit publik si ai në Austin.

Por pjesa më e madhe e amerikanëve ende lëvizin me makina dhe shumica e fondeve të transportit shpenzohen për ndërtimin e rrugëve. Allan Pisarski është një konsulent transporti dhe autor i librit “Transporti në Amerikë”. Ai thotë se entuziazmi për transportin publik në Amerikë është një shprehje e zhgënjimit të njerëzve:

“Në gjithë vendin është krijuar një ndjenjë pakënaqësie dhe lodhjeje, nga trafiku i ngarkuar dhe shërbimet e transportit në përgjithësi. Mendoj se njerëzit duan të provojnë gjithçka që mund ta përmirësojë gjendjen”.

Në vitet 1900, shumë qytete amerikane kishin një rrjet të zgjeruar hekurudhor në qytete. Por me arritjen e automobilit dhe lirinë individuale që krijonte, Amerika u përqendrua tek rrugët. Shumë sisteme të transportit publik, u zhdukën në vitet 1950. Tani shumë qytete po u rikthehen sistemeve të transportit të ngjashme me ato që kishin para 100 vjetësh.

Aktualisht, rreth 5 për qind e amerikanëve përdorin transportin publik. Por afro një e treta përdor transportin publik në qendra kryesore urbane si New Yorku, San Francisco dhe Washingtoni.

Në vende të tjera, autobusët, trenat dhe metrotë janë pjesë e jetës së përditshme.

“Shumë vende mbështesin transportin publik shumë më tepër sesa në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në Evropë. Në vende të tjera në zhvillim të botës, investimet në transportin publik po shtohen jashtë mase. Në Kinë të gjitha qytetet po ngrenë sisteme metroje. Në gjithë Azinë Juglindore, sidomos në kryeqytete, gjatë dy ose tri dekadave të fundit janë ndërtuar rrjete të mëdha hekurudhore. Në Amerikën jugore jo vetëm po ngrihen rrjete hekurudhore, por edhe disa nga sistemet publike të autobusëve me moderne në botë”.

Edhe ngritja e nivelit të ndotjes nga makinat, është një nga arsyet për rritjen e investimeve në transportin publik.

Shumë analistë thonë se zgjerimi i transportit publik nuk është një sfidë për transportin me automjete, por siguron një alternativë për publikun. Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz duan të shkojnë në shumë destinacione në çdo minutë të ditës, transporti publik mund të jetë zgjidhja.

XS
SM
MD
LG