Lidhje

Kritika ndaj Sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld - 2004-12-18


Partia Demokrate e opozitës këtu në Shtetet e Bashkuara e përdori fjalimin e përjavshëm në radio për të kritikuar administratën e presidentit Bush që nuk ka mundur të sigurojë mbrojtje të blinduar për mjetet e transportit që përdorin trupat amerikane në Irak. Ky debat ka çuar në thirrje për largimin e sekretarit të mbrojtjes Donald Rumsfeld.

Ndërkohë, presidenti Bush e përdori fjalimin e tij të përjavshëm në radio për të bërë thirrje për ndryshime në planin federal të pensioneve.

Senatori demokrat Dick Durbin e ruajti trysninë ndaj sekretarit Rumsfeld duke e kritikuar atë për mungesën e makinave të blinduara në Irak. "Pentagoni thotë se mungesa e pajisjeve mbrojtëse është çështje logjistike. Në fakt ajo vjen nga problemet e drejtimit", tha senatori.

Senatori Durbin tha se problemi qëndron në llogaritjet e gabuara të bëra qysh në fillim të ndërhyrjes. Ai tha se sekretari Rumsfeld nuk përfilli paralajmërimet se forcat ushtarake kishin nevojë për më shumë trupa dhe se ato mund të mos priteshin si çlirimtare. Senatori tha se personat përgjegjës për planifikimin e luftës nuk ishin të përgatitur për realitetin në front dhe shumë ushtarë amerikanë, tha ai paguan çmimin me jetën e tyre.

”Kongresi i ka dhënë kësaj administrate çdo shumë që ka kërkuar për Irakun dhe Afganistanin dhe sot, 21 muaj pas pushtimit të Irakut, ne kemi 3 mijë e 500 automjete të pambrojtura, duke i bërë ato dhe ushtarët tanë objektiva kryesorë për shpërthime me bomba dhe sulme me granada”, tha senatori Durbin.

Zyrtarët amerikanë thonë se më shumë se tre të katërtat e makinave Hamvi në Irak janë të blinduara por një numër shumë më i vogël i automjeteve transportuese që përdoren për të shpërndarë furnizimet janë të mbrojtura. Departamenti i Mbrojtjes thotë se një në çdo 5 ushtarë që kanë humbur jetën në Irak kanë qënë në makina të blinduara. Siguria e këtyre automjeteve u vu në qendër të vëmendjes sidomos pas një seance me pyetje përgjigje që zoti Rumsfeld pati në fillim të muajit me trupat amerikane në Kuvajt.

Qysh atëherë, disa senatorë të njohur republikanë janë bashkuar me demokratët duke e vënë në pikëpyetje rolin e sekretarit Rumsfeld.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan tha se presidenti Bush ka besim të plotë tek sekretari i mbrojtjes, i cili, tha zoti McClellan po bën një punë të mirë dhe është njeriu i duhur për të përballuar sfidat që kanë përpara Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush iu shmang debateve lidhur me sekretarin Rumsfeld dhe u përqëndrua në konferencën ekonomike të Shtëpisë së Bardhë e cila përfundoi dje dhe kishte si synim të reklamonte planet e presidentit në këtë fushë gjatë mandatit të tij të dytë.

Presidenti kërkon të ndryshojë sistemin federal të pensioneve duke lejuar punonjësit e rinj të investojnë disa nga kursimet e tyre të pensioneve në tregjet financiare. Ky plan kundërshtohet nga demokratët të cilët thonë se ndryshimet mund të sjellin shkurtimin e përfitimeve.

XS
SM
MD
LG