Lidhje

Presidenti Bush ka filluar të përcaktojë synimet e politikës së jashtme për katër vitet e ardhshme - 2004-12-19


Ndërsa presidenti George W. Bush përgatitet të fillojë mandatin e tij të dytë, në administratën e tij po bëhen ndryshime. Një numër zyrtarësh të kabinetit, duke përfshirë sekretarin e shtetit Colin Powell, kanë dhënë dorëheqjen. Këto janë ndryshime që zakonisht ndodhin pas zgjedhjeve.

Megjithatë presidenti Bush ka filluar të përcaktojë synimet e politikës së jashtme për katër vitet e ardhshme:

“Unë do të vazhdoj të punoj me miqtë dhe aleatët tanë, partnerët tanë në Bashkimin Europian dhe në NATO, për të nxitur zhvillimin dhe përparimin, për të mundur terroristët dhe për të inkurajuar lirinë dhe demokracinë si alternativa të tiranisë dhe terrorit.”

Jay Carney është zëvendës shef i revistës Time në Washington D.C. Ai thotë se rizgjedhja e presidentit Bush është një sinjal për udhëheqësit në të gjithë botën, veçanërisht në Europë:

“Unë mendoj se shumë europianëve nuk u ka pëlqyer mënyra e udhëheqjes së presidentit Bush... E vërteta është se presidenti Bush do të jetë president edhe për katër vitet e ardhshme. Mendoj se shumë kryeqytete europiane po prisnin të shihnin rezultatin e zgjedhjeve. Meqenëse John Kerry nuk fitoi, do të thotë se kandidati i tyre nuk fitoi, fakti është se ata duhet të kenë punë tani me presidentin Bush dhe unë besoj se do ta bëjnë një gjë të tillë, dhe mendoj se do të ketë nivele bashkëpunimi që ne nuk i kemi parë gjatë vitit të fundit apo më gjatë.”

Lufta kundër terrorizmit ka qenë çështje kryesore gjatë fushatës presidenciale. Kritikët e zotit Bush thanë se lufta në Irak ishte gabim dhe tërheqje e vëmendjes. Michael Barone është redaktor në revistën U.S. News & World Report. Ai thotë se duke rizgjedhur zotin Bush populli amerikan e ka dhënë vendimin e tij:

“Presidenti Bush beson se po luftojmë terroristët islamikë, njerëz që duan të imponojnë vizionin totalitar mbi shoqëritë e lira. Disa njerëz mund të mos e vlerësojnë këtë. Ata mund të mendojnë se presidenti Bush po pushton vende njëri pas tjetrit... Por, ne bëmë të mundur mbajtjen e zgjedhjeve në Afganistan për herë të parë në shumë vite... Trupat irakiane dhe amerikane po heqin qafe terroristët që kishin vendosur qendrën në e qytetit të Falluxhas.”

Aktet e fundit terroriste rreth botës, duke përfshirë vrasjen çnjerëzore të producentit hollandez të filmave Theo Van Gogh na kujtojnë se terrorizmi është i vërtetë. Terrorizmi, thotë Michael Barone, është ai që po luftojnë Shtetet e Bashkuara, miqtë dhe aleatët e tyre .

XS
SM
MD
LG